Protesta kundër projektit në Zvërnec është zhvendosur sërish përpara Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të pestën ditë radhazi, duke kërkuar anulimin e projektit dhe ndryshime të thella në politikat që, sipas tyre, favorizojnë privatizimin e pasurive publike dhe zonave të mbrojtura.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kanë mbajtur pankarta me slogane si “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Nuk shitet Shqipëria”.
Organizatorët insistuan se lëvizja është tërësisht qytetare dhe nuk përfaqëson asnjë forcë politike, duke theksuar se protesta po mbahet larg partive tradicionale, por edhe forcave të reja politike.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve, një prej përfaqësuesve të grupit organizues deklaroi se mobilizimi do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave që i cilësoi të panegociueshme.
“Pas pesë ditësh protesta të pandërprera, nuk do ndalemi deri në përmbushjen e kërkesave tona të panegociueshme. Kjo lëvizje mbarëkombëtare përfaqësohet nga një grup koordinues patriotësh me integritet dhe vlera të larta intelektuale e shoqërore”, u shpreh ai.
Protestuesit deklaruan gjithashtu se kjo lëvizje ka lindur si reagim ndaj asaj që ata e konsiderojnë cenim të interesit kombëtar dhe përdorim të pasurive publike për interesa private.
Për të shmangur, sipas tyre, çdo keqinterpretim politik, organizatorët ritheksuan se protesta “organizohet dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë”.
Gjatë tubimit u bënë publike edhe pesë kërkesat kryesore të protestuesve:
- Dorëheqjen e qeverisë
- Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor të investitorëve strategjikë
- Shfuqizimin e Paketës së Maleve
- Anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura
- Anulimin e ndryshimeve ligjore për trashëgiminë kombëtare
Protesta e pestë vjen në një moment kur debati për investimin në Zvërnec ka kaluar kufijtë e projektit konkret, duke u kthyer në një debat më të gjerë mbi zhvillimin, zonat e mbrojtura dhe mënyrën se si menaxhohen asetet publike në vend.



