Qytetarët janë rikthyer sërish në protestë në zonën e Zvërnecit, ku parashikohet ndërtimi i një resorti turistik, duke kundërshtuar projektin që sipas tyre cenon një zonë të mbrojtur dhe interesin publik.
Protestuesit u mblodhën në plazhin e Dalanit, ku zhvilluan një marshim sensibilizues kundër investimit të planifikuar, ndërsa gjatë tubimit artikuluan thirrje kundër rrethimit të territorit dhe ndërhyrjeve në zonë.
Një prej protestuesve deklaroi se qytetarët nuk do të lejojnë zbatimin e projektit dhe iu drejtua me thirrje qytetarëve të Vlorës që t’i bashkohen kundërshtimit.
“Ne nuk i lejuam, e hodhëm gardhin poshtë. Ta çlirojmë Shqipërinë. U bëj thirrje vlonjatëve, a jeni pasardhës të Ismail Qemalit? Vlorës në 1920 iu bashkuan gjithë shqiptarët. Lufta u bë për Vlorën, Vlorën duan të marrin, por shqiptarët janë gjallë”, u shpreh ai.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit e lidhën kundërshtimin ndaj projektit edhe me çështje të pronësisë, emigrimin e të rinjve dhe braktisjen e vendit, duke kërkuar ndalimin e investimit të planifikuar.
Protesta në Zvërnec vjen pas tubimit të zhvilluar një natë më parë para Kryeministrisë, ku qytetarët protestuan për më shumë se tre orë, në ditën e gjashtë të mobilizimeve kundër projektit. Ata kërkuan sërish anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec nisën pas ndërhyrjeve në zonë dhe rrethimit të territorit ku pritet të zhvillohet investimi, ndërsa ditët e fundit protestat janë zgjeruar duke marrë edhe tone politike kundër qeverisë.



