Protestat qytetare kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa mobilizimi kundërshtues është shtrirë jo vetëm në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në qendra të ndryshme ku jeton diaspora shqiptare.
Pas protestës së zhvilluar gjatë paradites në Zvërnec, qytetarët u mblodhën sërish pasditen e kësaj të shtune, rreth orës 18:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të vijuar protestën kundër projektit që kundërshtohet prej tyre.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku artikuluan thirrje kundër qeverisë dhe kërkuan anulimin e projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit brohoritën slogane si: “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, ndërsa kërkuan edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit deklaruan se lëvizja kundërshtuese tashmë ka tejkaluar kufijtë e çështjes së Zvërnecit, duke e paraqitur atë si një reagim më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe çështjeve që, sipas tyre, lidhen me interesin publik dhe pronat.
“Nuk jemi këtu vetëm për Zvërnecin”, ishte një prej mesazheve të përsëritura gjatë protestës, ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e mobilizimeve edhe në ditët në vijim.



