KreuAktualitetPolitikaPërplasja për Zvernecin/ Rama akuzon Iranin për ndërhyrje dhe dezinformim

Përplasja për Zvernecin/ Rama akuzon Iranin për ndërhyrje dhe dezinformim

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë përmes një postimi në rrjetin social X ndaj deklaratës së zëdhënësit të Iranit lidhur me protestat kundër projektit të Zvernecit, duke akuzuar Teheranin për ndërhyrje dhe përhapje të dezinformimit mbi situatën në Shqipëri.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ironizoi qëndrimin e autoriteteve iraniane, duke deklaruar se “qeveria e ajatollahëve të Teheranit” i është bashkuar zyrtarisht protestës kundër projektit, ndërsa shtoi se kauza mjedisore është shndërruar nga disa aktorë në një betejë politike kundër qeverisë.

“Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë!”, shkroi Rama në platformën X.

Sipas kryeministrit, megjithëse një pjesë e protestuesve vijojnë të jenë të angazhuar sinqerisht për mbrojtjen e mjedisit dhe të zonës së Zvernecit, protesta është instrumentalizuar nga aktorë të ndryshëm të brendshëm dhe të jashtëm, duke devijuar nga qëllimi fillestar.

Rama u shpreh se Shqipëria nuk duhet të bëhet arenë e interesave dhe përplasjeve të fuqive të ndryshme, ndërsa kritikoi atë që e konsideron përfshirje të grupeve, individëve dhe mediave ndërkombëtare në përhapjen e informacionit të pasaktë lidhur me projektin.

Në postimin e tij, kryeministri paralajmëroi se krijimi i një perceptimi negativ për Shqipërinë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në klimën e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë”, theksoi Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen në një moment kur debati mbi projektin e planifikuar në zonën e Zvernecit dhe protestat kundër tij vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes publike. Projekti ka shkaktuar diskutime të shumta mes mbështetësve, që e konsiderojnë një mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës, dhe kundërshtarëve, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe ekosistemin lokal.

Përmes reagimit të tij, Rama mbrojti qëndrimin e qeverisë lidhur me projektin dhe kundërshtoi pretendimet e ngritura nga pala iraniane, duke insistuar se debati duhet të mbetet i fokusuar tek faktet dhe interesat e Shqipërisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat