back to top
22.8 C
Tirana
E enjte, 11 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitika“Bulevardi digjet, korrupsioni krihet”/ Koçi hap luftë me Ballukun

“Bulevardi digjet, korrupsioni krihet”/ Koçi hap luftë me Ballukun

Aktiviteti i organizuar nga Partia Socialiste në Fier me rastin e 35-vjetorit të themelimit të saj ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi brenda radhëve të socialistëve, pasi një pjesë e themeluesve të partisë në këtë qark nuk morën ftesë për të qenë pjesë e ceremonisë.

Një nga reagimet më të ashpra ka ardhur nga ish-deputeti socialist Petro Koçi, i cili ka sulmuar drejtpërdrejt zëvendëskryeministren dhe drejtuesen politike të PS-së për Fierin, Belinda Balluku, duke e akuzuar për përçarje, servilizëm dhe korrupsion.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçi e cilësoi Ballukun si “themeluese të korrupsionit”, duke pretenduar se ajo ka krijuar klimë frike dhe servilizmi kudo ku ka ushtruar funksione shtetërore apo partiake.

“Bulevardi digjet, korrupsioni krihet. Themeluesja e korrupsionit nuk mund të mos e ushtrojë zanatin edhe në një ceremoni kremtimi të përvjetorit të themelimit të PS. Zakonisht ajo mbjell frikë dhe servilizëm kudo ku e dërgojnë, në detyra shtetërore apo partiake. Mbrëmë shfaqi edhe vesin e lig të përçarjes së themeluesve të PS. Ca i ftoi, ca i harroi”, shkruan Koçi.

Sipas ish-deputetit, ceremonia e zhvilluar në Fier nuk respektoi kontributin historik të themeluesve të Partisë Socialiste, duke lënë jashtë aktivitetit figura që, sipas tij, kanë luajtur rol në themelimin, modernizimin dhe fuqizimin e forcës politike ndër vite.

Koçi shprehet se historia dhe kontributet e socialistëve nuk mund të zbehen nga individë që, sipas tij, nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ngritur partia.

Në reagimin e tij, ai ka ngritur edhe akuza të tjera politike ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo është kthyer në një figurë që, sipas tij, nxit pakënaqësinë qytetare dhe dëmton imazhin e Partisë Socialiste.

Ish-deputeti shkon edhe më tej, duke e lidhur emrin e saj me debatet që pasuan zgjedhjet parlamentare të majit 2025, ku sipas tij pati problematika të konstatuara gjatë procesit të rinumërimit të votave.

“Hierarkinë e kontributeve të themelimit, modernizimit dhe fuqizimit të PS nuk e hedh dot askush në koshin e plehrave. Nuk e çrrënjosin dot historinë e themelimit të PS themeluesit e korrupsionit”, shprehet Koçi në reagimin e tij.

Deklaratat e ish-deputetit vijnë në një moment kur Partia Socialiste po zhvillon aktivitete në të gjithë vendin në kuadër të 35-vjetorit të krijimit të saj. Deri më tani nuk ka pasur një reagim publik nga Belinda Balluku lidhur me akuzat e ngritura nga Petro Koçi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat