Kreu i SPAK, Klodian Braho, mori pjesë në Ceremoninë Përmbyllëse të Procesit të Vettingut, ku vlerësoi këtë proces si një domosdoshmëri për rikthimin e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë.
Në fjalën e tij para gjyqtarëve dhe prokurorëve, Braho theksoi se Vettingu ka ndikuar në ripërtëritjen e sistemit dhe në forcimin e standardeve të integritetit dhe profesionalizmit.
“Vettingu ndikoi në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë. Besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale. Standardet e Vettingut reflektohen edhe në punën e përditshme”, u shpreh kreu i SPAK.
Sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët kanë kaluar tashmë nëpër filtra të besueshëm, duke krijuar kushte që qytetarët të kenë më shumë besim te drejtësia.
Braho falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces, të cilin e cilësoi historik, ndërsa nënvizoi se për SPAK-un, Vettingu ka pasur një rol të veçantë në garantimin e një drejtësie që përfaqëson interesin publik me profesionalizëm dhe paanshmëri.
Ai shtoi se institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi kanë fituar tashmë pjekurinë e nevojshme dhe se sfida e radhës mbetet ruajtja e standardeve të arritura.



