Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Shoqata “Jon Music”, e regjistruar me administrator Ardit Gjebrean, ka përfituar gjithsej 65 milionë e 672 mijë lekë nga fondet publike, përmes 20 pagesave të kryera nga pesë institucione shtetërore dhe vendore gjatë periudhës 2012–2024. Pjesa dërrmuese e kësaj shume ka ardhur nga Bashkia e Tiranës, ndërsa financime rezultojnë edhe nga struktura të Ministrisë së Kulturës dhe institucione të tjera kulturore.
Të dhënat e publikuara në Open Spending Albania, të bazuara në regjistrimet e Thesarit të Shtetit, tregojnë se Bashkia e Tiranës ka paguar 58 milionë e 512 mijë e 878 lekë në 12 transaksione. Në përshkrimet e pagesave përmendet kryesisht projekti “Kënga Magjike”, përfshirë edicionet e viteve të ndryshme.

Nga Ministria e Kulturës rezultojnë edhe katër pagesa, në vlerën totale 3 milionë e 900 mijë lekë. Ndërkohë, “Jon Music” ka marrë 1 milion e 890 mijë lekë nga struktura e regjistruar si “Aparati Projekte me Miratim në Art”, 950 mijë lekë nga Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës dhe 420 mijë lekë nga Qendra Ekonomike e Kulturës.

Pesë institucionet që kanë financuar shoqatën janë:
| Institucioni | Shuma e paguar |
|---|---|
| Bashkia e Tiranës | 58 512 878 lekë |
| Ministria e Kulturës | 3 900 000 lekë |
| Aparati Projekte me Miratim në Art | 1 890 000 lekë |
| Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës | 950 000 lekë |
| Qendra Ekonomike e Kulturës | 420 000 lekë |
| Totali | 65 672 878 lekë |
Pagesat e Bashkisë së Tiranës janë kryer në periudhën 2014–2024. Në përshkrimet e transaksioneve përmenden financime për edicionet e “Këngës Magjike”, me shuma të ndryshme nga viti në vit. Ndër më të lartat janë pagesa prej 8 milionë lekësh në dhjetor 2022 për projektin kulturor “Kënga Magjike 22” dhe një tjetër prej 8 milionë lekësh në fund të vitit 2024 për projektin artistik-kulturor “Kënga Magjike 2024”.
Në vitin 2018, Bashkia ka kryer gjithashtu një pagesë prej 8 milionë e 702 mijë lekësh për “Kënga Magjike 2017”.
Në vitin 2019, shoqata ka përfituar 7 milionë e 975 mijë lekë për likuidimin e projektit artistik-kulturor “Kënga Magjike 2018”. Ndërsa në vitin 2021, dy pagesat për festivalin arritën në rreth 7 milionë lekë.
Financimet nuk janë kufizuar vetëm te Bashkia e Tiranës. Të dhënat tregojnë se Ministria e Kulturës ka kryer pagesa edhe në vitet 2018, 2022 dhe 2023. Në vitin 2022, për “Kënga Magjike” rezulton një pagesë prej 1 milion e 740 mijë lekësh, ndërsa në janar 2023 një tjetër prej 1 milion e 160 mijë lekësh. Edhe në vitin 2018 janë regjistruar dy pagesa, përkatësisht 600 mijë dhe 400 mijë lekë.
Kush është përfituesi i parave?
Sipas të dhënave të regjistrit të organizatave jofitimprurëse, “Shoqata Jon Music” ka NIPT-in K01715002J dhe Ardit Gjebrea figuron si administrator i saj.
Shoqata është regjistruar si organizatë jofitimprurëse në vitin 2000.
Por ku kanë shkuar konkretisht 65.6 milionë lekët?
Paraqitja e Gjebreas në SPAK më 6 nëntor riktheu në vëmendje financimet e marra nga Bashkia e Tiranës për “Këngën Magjike”.
Sipas raportimeve mediatike, ai është pyetur në kuadër të hetimeve për çështjen “Veliaj”, lidhur me këto financime. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Gjebrea deklaroi se ishte thirrur si person në dijeni për një çështje nën sekret hetimor dhe se nuk mund të jepte më shumë detaje
Deri tani, nuk ka një informacion zyrtar publik që të tregojë se Gjebrea apo shoqata “Jon Music” janë të akuzuar për shkelje lidhur me këto pagesa. Megjithatë, shuma prej mbi 65 milionë lekësh të marra nga pesë institucione publike e bën të domosdoshme transparencën mbi mënyrën se si janë miratuar financimet dhe si është justifikuar përdorimi i tyre.







