KreuAktualitetEkonomiaKorridori 8 dhe Porto Romano në llogaritë e NATO-s/ Buxheti i Mbrojtjes...

Korridori 8 dhe Porto Romano në llogaritë e NATO-s/ Buxheti i Mbrojtjes rritet me 6.9 miliardë lekë në 2027

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Ministria e Mbrojtjes do të ketë një buxhet më të lartë në vitin 2027, me shpenzimet bazë për mbrojtjen që parashikohet të arrijnë në 2.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projektbuxheti u prezantua nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku ai bëri të ditur se fondet për këtë sektor do të rriten me 10% krahasuar me vitin 2026.

Sipas Nufit, rritja përkthehet në 6.9 miliardë lekë shtesë, të cilat do të shkojnë drejtpërdrejt për shpenzimet bazë të mbrojtjes, të njohura si core defense spending.

“Për vitin 2027, me këtë projektbuxhet shkojmë në 2.35% të GDP-së vetëm për shpenzimet bazë të mbrojtjes. Rritja prej 6.9 miliardë lekësh shkon drejtpërdrejt në këtë kategori”, deklaroi ministri.

Nufi sqaroi se buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027 do të jetë sa 2.6% e PBB-së, ndërsa 2.35% do të llogaritet si shpenzim i drejtpërdrejtë për mbrojtjen. Pjesa tjetër përfshin shpenzime të lidhura me këtë sektor, por që nuk klasifikohen si shpenzime bazë ushtarake.

Ministri iu referua gjithashtu angazhimeve të marra në Samitin e NATO-s në Hagë, ku aleatët ranë dakord për një objektiv të ri shpenzimesh, prej 3.5% të PBB-së për mbrojtjen dhe 1.5% për shpenzime të tjera që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.

Sipas parashikimeve të paraqitura nga Nufi, Shqipëria synon të rrisë gradualisht fondet për këtë sektor edhe në vitet pasuese. Në vitin 2028, shpenzimet bazë për mbrojtjen parashikohen të arrijnë në 2.5% të PBB-së, ndërsa buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes do të shkojë në 2.74%.

Për vitin 2029, objektivi është që shpenzimet bazë të arrijnë në 2.66% të PBB-së, duke e çuar buxhetin e përgjithshëm të ministrisë në 2.9%.

Gjatë prezantimit, ministri bëri të ditur se përveç fondeve të parashikuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, qeveria do të kryejë edhe 774 milionë lekë shpenzime të tjera të lidhura me mbrojtjen.

Në këtë kuadër, Nufi përmendi edhe Korridorin 8 dhe Portin e Porto Romanos, projekte që sipas tij kanë rëndësi strategjike për NATO-n dhe lëvizjen e trupave në rajon. Ai tha se Ministria e Mbrojtjes do të bashkëpunojë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të llogaritur edhe investimet që lidhen me këto projekte në kuadër të shpenzimeve për mbrojtjen.

Në fund të fjalës së tij, Nufi kërkoi që përqindja prej 2.35% e PBB-së për shpenzimet bazë të mbrojtjes të ruhet në projektbuxhetin që do të miratohet, duke theksuar se ky është niveli i deklaruar nga Shqipëria në NATO. Ai paralajmëroi gjithashtu se pas miratimit të projektligjit do të paraqiten propozime për shpërndarjen e fondeve dhe nisjen e projekteve për Forcat e Armatosura.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat