Parlamenti Evropian ka publikuar raportin përfundimtar për Shqipërinë për vitin 2026, ku evidentohen një sërë shqetësimesh që lidhen me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve.
Në dokument theksohet se korrupsioni vijon të mbetet një problem serioz, pavarësisht përparimeve të shënuara në kuadrin ligjor, ndërsa kërkohet forcimi i kapaciteteve të strukturave ligjzbatuese.
Raporti vë në dukje se Shqipëria ka shënuar një rënie në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, duke kaluar nga vendi i 80-të në vitin 2024 në vendin e 91-të në vitin 2025.
Eurodeputetët kërkojnë konsolidimin e rezultateve në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Një tjetër element i theksuar në raport është nevoja për garantimin e pavarësisë, burimeve të nevojshme dhe kapaciteteve operacionale të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke nënvizuar se puna e këtij institucioni nuk duhet të cenohet dhe as të kufizohen kompetencat e tij hetimore.
Po ashtu, raporti kërkon masa më të forta për gjurmimin, sekuestrimin dhe konfiskimin efektiv të pasurive me origjinë kriminale.
Në raport ngrihen shqetësime edhe për lirinë e medias dhe sulmet ndaj gazetarëve, ndërsa theksohet rëndësia e forcimit të shtetit të së drejtës dhe vazhdimit të reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.



