Në seancën e së enjtes ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, Prokuroria e Posaçme (SPAK) vijoi me leximin e kërkesës për gjykim, duke paraqitur detaje të reja lidhur me pagesat e kontratës së lobimit të LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prokurori Sotir Kllapi deklaroi se, pas administrimit të llogarive bankare të LSI-së, ka rezultuar se nga 416 mijë dollarë të raportuara nga kompania amerikane GSIS, vetëm 93 mijë dollarë janë paguar drejtpërdrejt nga LSI.
Sipas organit të akuzës, hetimet kanë treguar se kompania GSIS ka siguruar në periudha të ndryshme takime të Ilir Metës me zyrtarë të Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe të Bujqësisë, ndërsa pagesat për këto shërbime kanë vijuar edhe përtej afatit tre-mujor të përcaktuar në kontratë.
SPAK bëri të ditur se përfaqësues të kontraktuar nga GSIS kanë udhëtuar disa herë në Shqipëri dhe, pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se disa prej shpenzimeve të tyre janë mbuluar nga Adrian Shatku ose përmes kartave bankare në emër të tij. Për këtë arsye, prokuroria vlerëson se edhe pagesat e kryera në SHBA për llogari të LSI-së janë financuar nga ky person.
Prokurori Kllapi tha se, përmes letërporosive të dërguara në SHBA, janë identifikuar disa llogari bankare të Adrian Shatkut. Nga dokumentacioni i siguruar rezulton se GSIS i ka lëshuar LSI-së 18 fatura me një vlerë totale prej rreth 400 mijë dollarësh.
Sipas SPAK, tre prej faturave janë paguar nga llogaritë e LSI-së, ndërsa 12 të tjera nga kompania “Unify Com INC”, në pronësi të Adrian Shatkut. Për shumën prej 93 mijë dollarësh, organi i akuzës deklaroi se nuk disponon të dhëna mbi burimin e pagesës.
Prokuroria pretendon se 279 mijë dollarë të përdorura për kontratën e lobimit janë produkt i korrupsionit dhe se është ndjekur një skemë për fshehjen e origjinës së tyre, duke i paraqitur si pagesa të ligjshme.
“Shuma prej 279 mijë dollarë pretendojmë se janë produkt i korrupsionit, por është gjetur edhe një mënyrë pastrimi e tyre. Ato janë servirur si pagesa të ligjshme, ndërsa janë përfitim i drejtpërdrejtë i korrupsionit. Zoti Meta, në cilësinë e kryetarit të LSI-së, ka kryer pastrim të parave”, deklaroi prokurori Sotir Kllapi gjatë seancës.



