KreuDrejtësia“Punë e vogël, 115 kg”/ Orest Sota merrte drogë nga Alfredo Hamzai...

“Punë e vogël, 115 kg”/ Orest Sota merrte drogë nga Alfredo Hamzai dhe e shiste në Angli

Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK ndaj grupit kriminal të trafikut të drogës të drejtuar nga vëllezërit Koçeku dhe Alfredo Hamzai, ku një rol të rëndësishëm dyshohet se ka pasur edhe Orest Sota, i arrestuar pak ditë më parë në kuadër të operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme.

Në vendimin prej 855 faqesh për caktimin e masave të sigurisë, rreth 50 faqe i kushtohen komunikimeve të Sotës me drejtues dhe anëtarë të grupit kriminal. Sipas dosjes, ai ka pasur kontakte të vazhdueshme me Alfredo Hamzain, i cili dyshohet se e furnizonte me lëndë narkotike në vende të ndryshme, si Greqia, Anglia dhe Italia.

SPAK thotë se Orest Sota ka marrë pagesa nga grupi kriminal dhe ka siguruar informacione lidhur me të dhënat që mund të dispononin autoritetet për aktivitetin e tyre. Në komunikimet mes tij dhe Alfredo Hamzait përmendet edhe mbërritja e prokurorëve belgë në Shqipëri në lidhje me hetimet për çështjen e njohur si “Toyota Yaris”.

Sipas organit të akuzës, Sota dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në transportimin e parave cash nga jashtë drejt Shqipërisë.

Nga materialet e administruara në dosje rezulton se më 8 qershor 2020, Alfredo Hamzai i ka dërguar Orest Sotës fotografi nga një zonë me kontejnerë në Roterdam, duke iu referuar një sasie prej 115 kilogramësh, të cilën e cilësonte si një “punë të vogël”. Për hetuesit, kjo konsiderohet një tregues i kapaciteteve të grupit për të trafikuar sasi edhe më të mëdha droge.

Një tjetër komunikim i datës 30 qershor 2020 tregon se Hamzai, i ndodhur në Stamboll, i ka dërguar Sotës një fotografi ku shfaqen disa pako, për të cilat dyshohet se përmbanin kokainë dhe që, sipas tij, do të dërgoheshin së shpejti.

Po ashtu, në një bisedë të 3 gushtit 2020, Hamzai e informon Sotën se një sasi ishte bllokuar nga dogana për probleme dokumentacioni, por se kishte shpresa për ta nxjerrë.

Në dosje evidentohet edhe një komunikim ku Orest Sota kërkon para për të përballuar shpenzime që lidhen me sigurimin e një lejeje, duke u shprehur se kishte marrë para edhe nga i ati për këtë qëllim.

Sipas SPAK, një komunikim i datës 31 gusht 2020 hedh dyshime për përfshirjen e Orest Sotës në trafikun e lëndëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar. Nga analiza e mesazheve, hetuesit dyshojnë se ai merrte lëndën narkotike nga Alfredo Hamzai dhe më pas organizonte shpërndarjen e saj në Angli.

Të gjitha këto elemente janë pjesë e dosjes voluminoze të Prokurorisë së Posaçme, e cila po heton aktivitetin e grupit kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat