Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të projektit prej 4 miliardë dollarësh të mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri, duke deklaruar se vala e protestave kundër resortit luksoz në Sazan dhe në zonën e Nartës është nxitur dhe amplifikuar edhe nga hakerë iranianë.
Gjatë një konference në Romë, kreu i qeverisë shqiptare konfirmoi se investitorët e lidhur me Affinity Partners, kompania e themeluar nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, kanë blerë tokën bregdetare ku parashikohet të ndërtohet resorti, ndërsa aktualisht po kryhet procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Sipas Ramës, projekti nuk është miratuar ende, ndërsa ishulli i Sazanit mbetet pronë publike.
“Nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist. Zogjtë, ujërat, pemët dhe gjithçka tjetër do të jenë shumë më mirë se sot. Projekti synon të ketë një ndikim pozitiv neto, me 25 për qind më shumë gjelbërim sesa ekziston aktualisht”, deklaroi kryeministri.
Rama: Irani ka hyrë në lojë
Kreu i qeverisë shkoi më tej, duke lidhur protestat me sulmet kibernetike që, sipas tij, Republika Islamike e Iranit ka ndërmarrë ndaj Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
“Ne kemi vetëm një armik, që është republika e Iranit e Khomeinit. Ata kanë kryer një sulm kibernetik të pamëshirshëm kundër Shqipërisë gjatë tre viteve të fundit dhe tani kanë hyrë në lojë edhe për këtë çështje”, u shpreh Rama.
Ai pretendoi se një pjesë e madhe e zemërimit në rrjetet sociale dhe e reagimeve kundër projektit është nxitur nga kundërshtarë të Donald Trumpit, duke theksuar se përfshirja e Jared Kushner dhe Ivanka Trump ka tërhequr kritika nga njerëz “nga shumë kontinente”.
“Shumica e shqiptarëve e duan projektin. Zemërimi digjital është nxitur kryesisht për shkak të Kushnerit dhe Trumpit”, tha ai.
Protestat kundër resortit
Protestat kundër projektit nisën disa javë më parë, pasi zona bregdetare përballë ishullit të Sazanit u rrethua nga zhvilluesit. Demonstruesit kanë organizuar marshime në Tiranë dhe qytete të tjera, duke përdorur flamingo plastike si simbol të mbrojtjes së ekosistemit të Nartës dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Protestuesit e konsiderojnë projektin një simbol të korrupsionit dhe të mënyrës se si, sipas tyre, qeveria favorizon investitorët e huaj në dëm të interesit publik.
“Asnjëherë në Shqipëri një qeveri nuk ka tentuar t’u imponojë njerëzve diçka në këtë mënyrë”, është shprehur për “Financial Times” Petrit Hoxha, student inxhinierie dhe pjesëmarrës në protesta.
Sipas tij, shqiptarët i konsiderojnë amerikanët partnerë, por jo në një marrëdhënie që, siç tha ai, “nuk duket aspak si partneritet”.
Paralajmërimi i Parlamentit Europian
Debati mbi projektin ka kaluar edhe në institucionet europiane. Parlamenti Europian miratoi të mërkurën një rezolutë ku kërkohet respektimi i standardeve mjedisore, ndërsa Shqipëria vijon procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Eurodeputetja e të Gjelbërve, Tineke Strik, deklaroi se zgjerimi i BE-së duhet të shoqërohet me përparim në mbrojtjen e mjedisit, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
Po ashtu, një grup eurodeputetësh pritet të vizitojë Shqipërinë në fund të muajit për të vlerësuar nga afër situatën lidhur me projektin e diskutueshëm./



