KreuDrejtësiaNjë tjetër kryebashkiak i Ramës në duart e SPAK-ut/ Emri

Një tjetër kryebashkiak i Ramës në duart e SPAK-ut/ Emri

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale nr. 280/1 të vitit 2020, që lidhet me dyshimet për shkelje në procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Bashkia Kolonjë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në qendër të hetimit ndodhet kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, i cili bashkë me një sërë ish-zyrtarësh dhe punonjësish të administratës lokale dhe të ARRSH-së akuzohet për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, kërkesa për gjykim është depozituar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Akuzat ndaj Erion Isait

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, po në bashkëpunim.

Sipas SPAK, veprat penale janë parashikuar nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 25 që ka të bëjë me bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale.

Mes personave të marrë të pandehur është edhe ish-zëvendëskryetarja e Bashkisë Kolonjë, Eljona Mydini, e cila akuzohet për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

Po ashtu, SPAK ka dërguar për gjykim ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, si dhe ish-Drejtorin e Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, Erald Elezi. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre.

Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe:

  • Genti Raça, përgjegjës i sektorit të preventivit në ARRSH;
  • Donikë Shehu, ish-specialiste e nivelit të lartë në ARRSH;
  • Klarita Konomi, ish-specialiste e nivelit të lartë në ARRSH;
  • Nikollaq Mihali, specialist i nivelit të lartë pranë ARRSH;
  • Erdit Salillari, përgjegjës i sektorit të hartimit të projekteve të huaja pranë ARRSH-së.

Disa prej tyre akuzohen për “Shpërdorim detyre”, ndërsa të tjerë për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Akuza edhe për punonjës të Bashkisë Kolonjë

SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj punonjësve të Bashkisë Kolonjë, Erjon Cenko, Engjëll Dine dhe Ermal Zylfo, të cilët dyshohen për “Falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.

Ndërkohë, Armand Tafil, Muharrem Tartari dhe Shpëtim Liço akuzohen për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit publik.

Në listën e të pandehurve figuron edhe Entela Çano, administratore e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k., e akuzuar për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.

Dosja pas gjashtë vitesh hetime

Procedimi penal mban numrin 280/1 të vitit 2020 dhe pas disa viteve hetime, Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar se ka prova të mjaftueshme për t’i dërguar të pandehurit përpara Gjykatës së Posaçme.

Çështja lidhet me procedura prokurimi të zhvilluara nga Bashkia Kolonjë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, ku sipas SPAK janë konstatuar shkelje të ligjit dhe favorizime në tendera.

Tashmë do të jetë Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ajo që do të shqyrtojë dosjen dhe do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të 12 të pandehurve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat