Dy ditë përpara protestës së paralajmëruar për të dielën në Kakome, ku pritej pjesëmarrja e mijëra qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, është hequr porta që prej vitesh kufizonte hyrjen drejt plazhit.
Zhvillimi vjen pas rreth 20 ditësh protestash dhe reagimesh qytetare në mbarë vendin, të organizuara kundër asaj që aktivistët dhe mbështetësit e lëvizjes e konsiderojnë si përvetësim të pasurive publike dhe private.
Sipas informacioneve, porta është larguar me ndihmën e një vinçi, ndërsa deri më tani nuk ka një informacion zyrtar se kush ka urdhëruar heqjen e saj.
Koha kur është ndërmarrë ky veprim, vetëm pak ditë përpara protestës së paralajmëruar, po interpretohet nga protestuesit si rezultat i presionit të vazhdueshëm qytetar dhe i vëmendjes së shtuar mediatike ndaj çështjes së aksesit në Kakome.
Për mbështetësit e kauzës, heqja e pengesës fizike konsiderohet një fitore e rëndësishme dhe një hap drejt rikthimit të aksesit të lirë në një zonë që prej vitesh ka qenë objekt debatesh dhe kundërshtish.
Protesta e së dielës ishte paralajmëruar si një tubim masiv, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga qytete të ndryshme të vendit, në mbështetje të kërkesës për garantimin e aksesit publik në bregdet dhe mbrojtjen e hapësirave që konsiderohen pasuri të përbashkëta.



