KreuDrejtësiaMesazhet që fundosën Erion Isain/ Zbardhet skema e tenderave

Mesazhet që fundosën Erion Isain/ Zbardhet skema e tenderave

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje nga dosja hetimore ndaj kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, i cili është marrë i pandehur dhe është dërguar për gjykim së bashku me 15 persona të tjerë, nën akuzën e favorizimit të kompanisë “A&E Engineering” në disa procedura prokurimi me vlera milionëshe.

Sipas SPAK, Isai, në bashkëpunim me zyrtarë të Bashkisë Kolonjë dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka ndërtuar projekte, kritere tenderi dhe fondin limit në funksion të një kompanie të vetme, “A&E Engineering”, me administratore Entela Çanon.

Bashkë me kryebashkiakun janë dërguar për gjykim shtatë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ARRSH-së, shtatë punonjës të Bashkisë Kolonjë dhe vetë administratorja e kompanisë, Entela Çano. Akuzat përfshijnë “Shpërdorimin e detyrës”, “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera” dhe “Falsifikimin e dokumenteve”.

Tenderi 2.8 miliardë lekë për rrugën Korçë-Ersekë

Në qendër të hetimeve ndodhet procedura për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me fond limit prej 2.88 miliardë lekësh me TVSH.

SPAK thotë se Bashkia Kolonjë i ka kërkuar financim Autoritetit Rrugor Shqiptar për një projekt që pretendonte se e kishte marrë si dhuratë, por hetimet kanë zbuluar se dokumentacioni projektues nuk ekzistonte.

“Nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta”, thuhet në dosjen e SPAK.

Sipas Prokurorisë, procesverbali i dorëzimit të projektit është falsifikuar nga punonjës të bashkisë, në bashkëpunim me Entela Çanon.

Fondi limit i fryrë me 590 milionë lekë

Hetimi ka zbuluar se edhe përllogaritja e fondit limit është bërë në kundërshtim me ligjin.

SPAK akuzon ish-drejtorin e ARRSH-së, Ergys Verdho, si dhe vartësit e tij Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, se kanë përcaktuar vlerën e tenderit pa pasur projektin teknik dhe duke u mbështetur në të dhënat e ofruara nga vetë kompania që më pas do të shpallej fituese.

Ekspertiza teknike dhe financiare ka nxjerrë se fondi limit është fryrë me rreth 590.2 milionë lekë.

Supervizimi i punimeve, favorizim për kompaninë e Entela Çanos

Sipas SPAK, edhe procedura për mbikëqyrjen e punimeve, me fond limit prej 22.7 milionë lekësh, është orientuar në favor të kompanisë “A&E Engineering”.

“Anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë ‘A&E Engineering’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Një tjetër episod lidhet me tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth. Hetimet tregojnë se fondi limit nuk është mbështetur në një studim tregu, por në oferta fiktive të përgatitura nga vetë kompania fituese.

Madje, sipas SPAK, kriteret teknike të tenderit janë hartuar nga vetë administratorja e kompanisë, Entela Çano.

Mesazhet që fundosën Isain

Sekuestrimi i telefonit të Entela Çanos ka zbuluar komunikime të vazhdueshme me kryebashkiakun Erion Isai, të cilat, sipas SPAK, dëshmojnë për një marrëdhënie të afërt dhe koordinim të drejtpërdrejtë në përgatitjen e dokumenteve për tenderat.

Në një nga bisedat, Isai i drejtohet Entela Çanos me fjalët:

“Mirëmëngjes… shefe si të kam?”

Ndërsa ajo i përgjigjet:

“Po njoftoj inxhinierin t’ju sjellë projektin.”

Në një tjetër komunikim, kryebashkiaku i kërkon projektin për fshatrat, pasi duhej ta paraqiste në këshillin teknik.

Erion Isai: “Nesër do të jem në Tiranë, më duhet projekti i fshatrave që ta kaloj te këshill teknik.”

Në një tjetër bisedë, Isai i kërkon listën e fshatrave dhe vlerat përkatëse.

“Më duhet deri të premten lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat vëlla. Një zjarr të lutem!”

Ndërsa Entela Çano i përgjigjet:

“Pa merak, do bëj të pamundurën që të premten t’i dorëzojmë.”

Sipas SPAK, komunikimet tregojnë se procedurat e prokurimit ishin orientuar paraprakisht dhe se kishte bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë që përfitonte tenderat.

SPAK: Isai kishte rol aktiv në favorizimin e kompanisë

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme arrin në konkluzionin se Erion Isai nuk ka qenë vetëm firmosës i procedurave, por ka pasur rol aktiv në vendosjen e kritereve dhe krijimin e kushteve që favorizonin kompaninë fituese.

Dosja tashmë i është dërguar Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku kryebashkiaku i Kolonjës dhe 15 të pandehurit e tjerë do të përballen me akuzat e ngritura nga SPAK.

Një tjetër kryebashkiak i Ramës në duart e SPAK-ut/ Emri

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat