Grupi nismëtar i një nisme ligjore për garantimin e trajtimit shëndetësor të fëmijëve nga 0–18 vjeç, brenda dhe jashtë vendit me financim nga Buxheti i Shtetit, ka dorëzuar sot në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkrimet e 32,128 qytetarëve që mbështesin këtë projektligj.
Sipas nismëtarëve, kjo është rezultat i një angazhimi tre-mujor në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku mijëra qytetarë janë bërë pjesë e iniciativës me synimin që asnjë fëmijë të mos mbetet pa trajtim mjekësor për shkak të pamundësive financiare.
Organizata Qëndresa Qytetare ka falënderuar qytetarët që kanë dhënë mbështetjen e tyre përmes nënshkrimeve, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm qytetar në mbështetje të kauzës.
Pas verifikimit të nënshkrimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nisma pritet t’i kalojë për shqyrtim Kuvendi i Shqipërisë, ku deputetët do të kenë mundësinë të vendosin për fatin e saj.
Projektligji synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në rastet kur fëmijët kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë vendit, duke mbuluar kostot që shpesh janë të papërballueshme për shumë familje shqiptare.
Në një deklaratë publike, Qëndresa Qytetare i ka bërë thirrje Kuvendit dhe deputetëve që të mbështesin nismën, duke theksuar se ajo përfaqëson vullnetin e mbi 32 mijë qytetarëve dhe një garanci më të madhe për shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve.



