Në procesin gjyqësor për aferën “Partizani”, ish-ministri i Sporteve Ylli Pango është pyetur nga prokurorët e SPAK lidhur me njohjen e disa personave dhe dokumenteve që lidhen me dosjen hetimore.
Gjatë dëshmisë, Pango u pyet nëse njihte Afrim Tolën, i cili sipas dosjes së SPAK ka qenë pjesë e një komisioni për vlerësimin e klubit shumësportësh të Partizanit. Ish-ministri deklaroi se emri nuk i kujtonte asgjë dhe se duhej të “vriste mendjen” për ta rikujtuar.
Ai u pyet gjithashtu për një shkresë të vitit 2008, e dërguar nga ish-vartësja e tij, Violeta Shqevi, ku thuhej se fusha e basketbollit dhe disa prona të tjera ishin zënë me forcë. Pango tha se nuk e mbante mend çështjen dhe se bëhej fjalë për ngjarje të para rreth 18 viteve.
Në përgjigjet e tij në sallën e gjyqit, Ylli Pango theksoi se dokumentin nuk e mohonte, por sipas tij ai nuk kishte njohuri të detajuara për aspektet juridike të pronave, duke shtuar se ministria nuk kishte juridiksion mbi objektet sportive.
Ai u shpreh gjithashtu se është autor librash dhe ish-deputet, duke theksuar se nuk mund të kujtojë detaje të ngjarjeve të ndodhura gati dy dekada më parë.



