Studio Ligjore “Cakrani” ka njoftuar përfundimin e marrëdhënies së përfaqësimit ligjor me ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Metaj, në procesin penal që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK).
Në deklaratën zyrtare, studio bën me dije se vendimi është marrë pas humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm mes palëve, situatë që sipas saj është bërë më e dukshme pas seancës së fundit gjyqësore.
Studio thekson se marrëdhënia klient–avokat ka funksionuar fillimisht me angazhim profesional dhe në përputhje me detyrimet ligjore, që prej datës 24 maj 2025, kur avokati Kujtim Cakrani mori përsipër mbrojtjen e Metajt në këtë çështje.
Sipas njoftimit, ndërprerja e bashkëpunimit është kryer në respekt të plotë të normave etike dhe deontologjike të profesionit të avokatit, duke iu referuar Kodit të Etikës dhe legjislacionit në fuqi.
“Shkëputja vjen si pasojë e mungesës së kushteve objektive për vijimin e një mbrojtjeje efektive dhe nuk shoqërohet me asnjë konflikt interesi apo qëndrim polemik mes palëve”, thuhet në deklaratë.
Studio Ligjore “Cakrani” i ka uruar ish-Presidentit Metaj gjetjen e një përfaqësimi të ri ligjor dhe ka theksuar se do të vijojë të respektojë konfidencialitetin profesional për çdo informacion të marrë gjatë ushtrimit të detyrës.
Njoftimi është bërë publik, sipas studios, me qëllim transparencën ndaj opinionit publik dhe medias, për të shmangur çdo keqinterpretim të rrethanave që çuan në përfundimin e bashkëpunimit.



