Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka rikthyer kritikat ndaj funksionimit të demokracisë së brendshme në PS, duke deklaruar se ajo “nuk funksionon” dhe se proceset zgjedhore brenda partisë janë zëvendësuar me njoftime administrative.
I ftuar në Report TV, Braçe u shpreh se kjo situatë nuk është e shëndetshme as për partinë dhe as për shoqërinë në tërësi.
“Unë mendoj se, në tërësinë e saj, si sistem, demokracia e brendshme e PS-së nuk funksionon. Proceset demokratike janë zëvendësuar me njoftime që vendosen në murin e Kryesisë apo të Grupit Parlamentar”, deklaroi Braçe.
Ai shtoi se mungesa e garës së brendshme dhe e votës së anëtarësisë për përfaqësuesit politikë përbën një problem serioz për funksionimin e partive politike.
Sipas tij, demokracia e brendshme është thelbësore si për partitë në pushtet, ashtu edhe për ato në opozitë, pasi ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e sistemit politik.
Duke komentuar debatet e fundit brenda PS-së, Braçe vlerësoi ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, duke theksuar kontributin e saj shumëvjeçar në parti, ndërsa kritikoi deputeten Marjana Koçeku.
Ai u shpreh se Koçeku ka marrë mandat nga lista e mbyllur e PS-së dhe, sipas tij, duhet të jetë më e përmbajtur në deklaratat publike ndaj partisë.
“Ka marrë një mandat nga lista e mbyllur dhe nuk ka kontribuar më parë në PS. Duhet të jetë më modeste kur flet për partinë”, tha Braçe.
Ai shtoi se ndryshimet dhe debatet e fundit lidhen edhe me mënyrën e formimit të listave zgjedhore, të cilat, sipas tij, nuk janë produkt gare, por vendimesh të brendshme.
“Problemi qëndron te demokracia e brendshme e partive. Listat nuk bëhen me garë, por me njoftim”, përfundoi Braçe.



