Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e plotë lidhur me kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”. Dokumenti, i përbërë nga 229 paragrafë, zbardh arsyetimin mbi të cilin u mbështet shumica e gjyqtarëve për të shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe për ta kthyer çështjen për rishqyrtim.
Në vendim, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka dhënë një përgjigje të arsyetuar për dy pretendime themelore të paraqitura nga Veliaj. Sipas Kushtetueses, nuk është analizuar në mënyrë të mjaftueshme nëse masa e sigurisë “Arrest në burg” ishte e domosdoshme dhe proporcionale në raport me të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të ushtruar mandatin e fituar me votën e qytetarëve, të garantuar nga neni 45 i Kushtetutës.
Gjykata thekson se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll efektiv për të vlerësuar nëse masa alternative më pak kufizuese, si garancia pasurore apo masa të tjera sigurimi, mund të garantonin zhvillimin normal të hetimeve pa penguar ushtrimin e funksionit publik të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Një tjetër element që, sipas Kushtetueses, nuk është trajtuar në mënyrë të plotë nga Gjykata e Lartë lidhet me vendosjen e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore. Në kërkesën e tij, Veliaj kishte argumentuar se kjo mënyrë paraqitjeje krijonte perceptimin e një personi të rrezikshëm dhe cenonte parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, edhe ky pretendim duhej të kishte marrë një përgjigje të argumentuar.
Vendimi i publikuar nxjerr në pah edhe ndarjet mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Katër gjyqtarë kanë mbajtur një qëndrim edhe më të fortë se shumica, duke argumentuar se masa e arrestit ishte joproporcionale në vetvete. Sipas tyre, qëndrimi për një periudhë të gjatë në paraburgim ka bërë të pamundur ushtrimin e mandatit të fituar nga Veliaj, duke cenuar jo vetëm të drejtat e tij, por edhe të drejtën e qytetarëve për t’u qeverisur nga përfaqësuesi që kanë zgjedhur.
Gjyqtari relator Asim Vokshi votoi kundër shfuqizimit të vendimit të Gjykatës së Lartë. Ai argumentoi se Veliaj nuk kishte shteruar të gjitha mjetet juridike në lidhje me pretendimin për cenimin e mandatit përpara se t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Për sa i përket qëndrimit në kabinën e xhamit, relatori vlerësoi se kjo nuk përbën automatikisht trajtim degradues, për sa kohë që kushtet e mbajtjes janë në përputhje me standardet ligjore.
Ndërkohë, gjyqtarja Sonila Bejtja ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si gjykatat e zakonshme kanë arsyetuar ekzistencën e “dyshimit të arsyeshëm”. Sipas saj, vendimet nuk kanë provuar në mënyrë të individualizuar lidhjen e Veliajt me veprat penale për të cilat po hetohet, por janë mbështetur kryesisht në fakte që lidhen me funksionin e tij si titullar i institucionit.
Vendimi zbardh edhe argumentet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila ka mbrojtur domosdoshmërinë e masës së arrestit. Sipas SPAK, provat e administruara tregojnë ekzistencën e një sistemi të organizuar korrupsioni. Prokuroria ka pretenduar se Veliaj ka dërguar mesazhe intimiduese ndaj hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa persona të afërt dhe vartës të tij kanë kontaktuar dëshmitarë me synimin për të ndikuar në deklarimet e tyre. Gjithashtu, SPAK ka argumentuar se lirimi i tij do të krijonte rrezik për prishjen ose manipulimin e provave, si dhe mundësi largimi për shkak të dënimeve të larta që parashikohen për veprat penale për të cilat ai po hetohet.
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim. Gjykata e Lartë do të duhet të shqyrtojë sërish kërkesën, duke analizuar në mënyrë të plotë proporcionalitetin e masës së sigurisë në raport me mandatin publik të Veliajt, si dhe pretendimet që lidhen me kushtet e trajtimit të tij gjatë seancave gjyqësore.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.



