Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova, ka fituar çështjen e tij në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila ka vlerësuar se shkarkimi i tij nga sistemi i drejtësisë nuk ishte proporcional me qëllimet e ndjekura.
Në vendimin e saj, Gjykata arsyeton se “shkarkimi i aplikantit nuk u tregua proporcional me qëllimet legjitime të ndjekura”.
Strasburgu vlerëson gjithashtu se, nëse Kosova e kërkon, do të ishte e përshtatshme që procedura e vettingut ndaj tij të rihapej dhe çështja të rishqyrtohej në përputhje me kërkesat e nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për shkak të shkeljes së konstatuar, Shqipëria është detyruar t’i paguajë Kosovës 6 mijë euro për dëmin jomaterial, si dhe 5 mijë euro për kostot dhe shpenzimet e procedurës.
Adnan Kosova u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, organi i shkallës së dytë të procesit të vettingut. Me vendimin e Strasburgut, shkarkimi i tij është vlerësuar si joproporcional në raport me qëllimet që synonte procesi.
Në momentin kur u nxor jashtë sistemit të drejtësisë, Kosova mbante detyrën e prokurorit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Pse u shkarkua Adnand Kosova
Adnand Kosova ishte konfirmuar fillimisht në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dhjetor 2018. Vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik, pas një rekomandimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), dhe çështja kaloi për shqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Gjatë shqyrtimit në KPA u ngritën dy çështje kryesore. Njëra lidhej me një denoncim për kontakte të papërshtatshme të personave me lidhje të afërta familjare me Kosovën, ndërsa tjetra me kriterin e pasurisë. KPA mori informacion edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK lidhur me denoncimin.
Në fund, shkarkimi u mbështet te kriteri i pasurisë. KPA vlerësoi se Kosova nuk arriti të justifikonte me dokumentacion shumën prej 1.5 milionë lekësh, të cilën ai e kishte deklaruar si kapar të marrë nga shitja e një apartamenti në Korçë dhe që ishte përdorur për pagesën e këstit të parë të një apartamenti 98 m² në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë.
Sipas KPA-së, Kosova nuk provoi burimin e ligjshëm të kësaj shume dhe për pasojë rezultoi me mungesë të burimeve financiare për krijimin e pasurisë së deklaruar. Për këtë arsye, Kolegji ndryshoi vendimin e KPK-së dhe vendosi shkarkimin e tij nga detyra.
Vendimi i KPA-së mban datën 13 mars 2020, ishte marrë me shumicë votash dhe kishte efekt të menjëhershëm.





