Ish-zëvendëskryeministrja socialiste Ermelinda Meksi i ka bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të ushtrojë kontrollin parlamentar mbi aktin normativ të qeverisë për financimin e koncertit të artistit me famë botërore Kanye West me fondin rezervë të buxhetit të shtetit.
Në një reagim publik, Meksi thekson se Kuvendi, si institucioni që shqyrton dhe miraton aktet normative të Këshillit të Ministrave, duhet të verifikojë nëse janë respektuar kërkesat kushtetuese dhe ligjore për përdorimin e një fondi prej 4 miliardë lekësh.
Sipas saj, qytetarët kanë të drejtë të marrin një shpjegim të qartë nëse janë plotësuar kushtet e “nevojës” dhe “urgjencës” për nxjerrjen e aktit normativ, si dhe nëse përdorimi i fondit rezervë është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
“Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit janë parime themelore të administrimit të financave publike dhe kushte të domosdoshme për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet”, shprehet Meksi.
Ajo nënvizon se publikimi i aktit normativ e bën edhe më të domosdoshëm një sqarim institucional mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të kësaj vendimmarrjeje, si dhe mbi arsyet që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë.
Sipas ish-zëvendëskryeministres, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të verifikojë nëse, në këtë rast, janë respektuar kriteret ligjore që rregullojnë përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit.
“Një shqyrtim i plotë, transparent dhe objektiv është thelbësor për të garantuar ligjshmërinë, mbrojtjen e interesit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në administrimin e fondeve publike”, deklaron ajo.
Në përfundim të reagimit të saj, Meksi thekson se çdo përdorim i fondeve publike duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por edhe i arsyetuar, proporcional dhe në funksion të interesit publik.
“Vetëm një shqyrtim serioz, transparent dhe të bazuar në Kushtetutë dhe ligj garanton se çdo vendimmarrje që prek fondet publike i shërben interesit të qytetarëve, forcon besimin te institucionet demokratike dhe mbron parimet e shtetit të së drejtës”, përfundon ajo.



