Një zhvillim i pazakontë është regjistruar në Hungari, ku disa prej mediave kryesore publike, të konsideruara prej vitesh si pranë ish-kryeministrit Viktor Orban, kanë ndërprerë transmetimet pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Në ekranin e televizionit publik M1 është shfaqur një sfond i zi me mesazhin: “Media nuk mund të gënjejë. Kërkojmë falje që e kemi bërë këtë për vite me radhë.”
Sipas raportimeve të mediave vendase, pezullimi i transmetimeve ka prekur edhe radion publike Kossuth Radio, ndërsa faqet zyrtare në internet të këtyre institucioneve kanë shfaqur gjithashtu ekrane të zeza.
Televizioni M1 është konsideruar për vite me radhë si një nga mediat më pranë qeverisë së Viktor Orbanit, ndërsa kritikët e kanë akuzuar vazhdimisht se ka funksionuar si një instrument propagande në favor të pushtetit.
Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, njoftoi se mediat publike do të kalojnë nën një administrim të ri. Ai bëri të ditur se, përkohësisht, transmetimet informative do të pezullohen, ndërsa në radio do të transmetohen vetëm programe muzikore nga një stacion partner.
Duke e cilësuar situatën si një moment “historik”, Magyar deklaroi se epoka e propagandës në mediat publike ka marrë fund.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai u shpreh se mediat publike kishin “gënjyer natën dhe ditën, përmes çdo kanali të mundshëm”, duke shtuar se kjo periudhë tashmë i përket së kaluarës.
Gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit, opozita dhe organizata të ndryshme kanë akuzuar vazhdimisht qeverinë për kontroll të mediave publike dhe humbje të pavarësisë editoriale. Përfaqësues të sektorit të medias kanë krahasuar situatën me modele ku informacioni kontrollohet në mënyrë të centralizuar nga shteti.
Partia Tisza, e drejtuar nga Péter Magyar, fitoi zgjedhjet parlamentare me premtimin për reformimin e sistemit mediatik dhe rikthimin e pavarësisë së institucioneve publike. Pas marrjes së detyrës, qeveria e re ka urdhëruar një rishikim të mënyrës së funksionimit dhe financimit të mediave shtetërore.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Viktor Orban e ka kritikuar procesin, duke e cilësuar atë si “një tjetër hap të tiranisë së Tiszas”.



