back to top
21 C
Tirana
E enjte, 9 Korrik, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaMeloni: Italia rrit shpenzimet për mbrojtjen, por fondet do të mbeten në...

Meloni: Italia rrit shpenzimet për mbrojtjen, por fondet do të mbeten në vend

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka riafirmuar angazhimin e Italisë për të përmbushur detyrimet ndaj NATO-s, duke theksuar se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen do të bëhet në mënyrë të qëndrueshme dhe duke mbajtur në fokus interesin kombëtar.

Në përfundim të Samitit të NATO-s në Ankara, Meloni deklaroi se Italia do të respektojë angazhimet për rritjen e investimeve në mbrojtje, por do të përcaktojë vetë ritmin, mënyrat dhe prioritetet e këtij procesi.

“Ne duam të respektojmë angazhimet tona për shpenzimet në mbrojtje. Po e bëjmë këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, por në mënyrë të qëndrueshme, duke përcaktuar vetë kohën, mënyrat dhe prioritetet sipas kontekstit”, u shpreh Meloni.

Kryeministrja italiane theksoi se fondet për mbrojtjen duhet të sjellin përfitime konkrete për ekonominë italiane, duke mbështetur industrinë vendase, qendrat e kërkimit dhe zhvillimin teknologjik.

“Investimet që bëjmë duhet të mbeten në Itali, në fabrikat tona, në qendrat tona të kërkimit dhe në territoret tona. Kjo do të thotë më shumë siguri, por edhe më shumë vende pune të kualifikuara dhe më shumë kërkim”, deklaroi ajo.

Duke folur për marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump dhe kritikat ndaj saj, Meloni tha se nuk është penduar për qëndrimet e mbajtura dhe se strategjia e saj mbetet e pandryshuar.

“Nuk pendohem për asgjë që kam bërë. Nuk do ta ndryshoj strategjinë time. Investimin politik e kam bërë sepse besoj në unitetin e Perëndimit”, tha kryeministrja italiane.

Ajo shtoi se me Trump ka afërsi në disa çështje, si emigracioni dhe debatet kulturore, por theksoi se qasja e saj bazohet në ruajtjen e unitetit të aleatëve.

Meloni e cilësoi Samitin e Ankarasë si “të shkurtër, por intensiv”, duke nënvizuar se NATO mbetet një aleancë e bashkuar dhe e vendosur për të forcuar kapacitetet e saj.

“Italia i ndan plotësisht këto objektiva. Siguria nuk lidhet vetëm me ekuilibrat gjeopolitikë, por prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve”, deklaroi ajo.

Sipas Melonit, Italia mori pjesë në samit me investime në mbrojtje dhe siguri që arrijnë në 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e cilësuar vendin si një aleat të besueshëm të NATO-s.

Ajo foli gjithashtu për ndryshimet teknologjike në fushën e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e dronëve, inteligjencës artificiale dhe kontrollit të zinxhirëve strategjikë të furnizimit.

“Nëse rrisim burimet financiare pa zgjidhur çështjen e kontrollit të zinxhirëve themelorë të mbrojtjes, rrezikojmë të paguajmë për të financuar varësinë tonë”, paralajmëroi Meloni.

Kryeministrja italiane u shpreh gjithashtu e shqetësuar për zhvillimet në Iran, duke deklaruar se nga Teherani po vijnë “lajme shumë të këqija” dhe se qëndrimi i Italisë për përdorimin e bazave ushtarake mbetet i pandryshuar.

Për Ukrainën, Meloni konfirmoi mbështetjen e Italisë, duke sqaruar se pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm Antonio Tajani në takimet e ardhshme nuk përbën mungesë angazhimi nga ana e Romës.

Në fund, ajo hodhi poshtë akuzat e opozitës italiane se qeveria po ul fondet për shëndetësinë për t’i drejtuar ato drejt mbrojtjes.

“Të thuash se po u heqim financime spitaleve për të rritur shpenzimet për armët është qesharake. Nëse kemi mundësi të rrisim kapacitetin tonë mbrojtës, do ta përdorim atë për sigurinë e Italisë”, përfundoi Giorgia Meloni.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat