Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka garantuar aleatët e NATO-s se Uashingtoni do të vijojë të jetë pjesë e Aleancës Atlantike dhe do të ruajë angazhimin ndaj partnerëve.
Deklarata është bërë gjatë takimit me dyer të mbyllura të liderëve të NATO-s në Samitin e Ankarasë, sipas burimeve të cituara nga agjencia Reuters.
Sipas një burimi, Trump iu drejtua homologëve të tij me mesazhin: “Ne duam të qëndrojmë me ju”, duke dhënë një sinjal qetësues për rolin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Aleancë.
Gjatë takimit, presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se SHBA është e gatshme të vazhdojë furnizimin me armë për vendet aleate. Sipas burimeve, Trump nuk njoftoi përfundimin e marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit me Iranin dhe nuk ngriti çështjen e Groenlandës, një temë që më herët kishte shkaktuar tensione me disa vende anëtare të NATO-s.
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, Trump mori sërish fjalën dhe, sipas burimeve aleate të cituara nga ANSA, tha se ishte “shumë i impresionuar” nga deklaratat e liderëve të NATO-s.
“E ndjeva dashurinë në këtë dhomë”, mësohet të ketë deklaruar presidenti amerikan, duke shtuar se do të kishte dashur që edhe mediat të ishin të pranishme për të parë atmosferën e takimit.
Në deklaratën përfundimtare të Samitit të Ankarasë, liderët e NATO-s njoftuan miratimin e mbi 50 miliardë dollarëve në kontrata të reja për sektorin e mbrojtjes.
Aleatët u angazhuan gjithashtu të rrisin kapacitetet e përbashkëta prodhuese ushtarake dhe të bashkëpunojnë më ngushtë me industrinë e mbrojtjes për zhvillimin e teknologjive të reja.
Dokumenti përfundimtar thekson se vendet anëtare do të vijojnë përpjekjet për eliminimin e barrierave tregtare në sektorin e mbrojtjes dhe forcimin e partneriteteve industriale brenda NATO-s.
Në deklaratë, liderët riafirmuan edhe një herë angazhimin ndaj Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, sipas të cilit një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.
“Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për rreth një miliard qytetarë të vendeve të NATO-s”, thuhet në dokument.
Aleatët theksuan gjithashtu se NATO do të vijojë qasjen e saj të plotë ndaj sigurisë, duke forcuar kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse përballë sfidave të reja globale.



