Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka sqaruar ndalimin e hyrjes në territorin shqiptar të tre zyrtarëve të koalicionit VLEN, gjatë një konference për mediat.
Hita tha se ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku katër shtetas janë paraqitur me qëllim kalimin e kufirit. Sipas tij, tre prej tyre, të pajisur me pasaporta diplomatike, janë njoftuar se mund të vijonin udhëtimin, ndërsa një person i shoqëruar me ta kishte pengesa ligjore për hyrjen në Republikën e Shqipërisë.
“Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare janë garantë të zbatimit të ligjit. Dje në pikën e Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas për të kaluar kufirin. Tre prej tyre ishin me pasaporta diplomatike dhe iu bë me dije se mund të vijonin udhëtimin. Një person i shoqëruar së bashku me ta, që kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. Në këtë pikë, edhe tre të tjerët nuk kanë pranuar të vijojnë udhëtimin dhe janë kthyer në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se raste të tilla nuk janë të veçuara dhe se gjatë vitit 2025 janë regjistruar qindra raste të kthimit në kufi.
“Gjatë vitit 2025 kemi kthyer 625 raste. 425 raste vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit. Është një punë e përditshme dhe nuk ka vend për panik apo për të thënë që policia nuk ka kryer detyrën e saj”, u shpreh ai.
Sipas Policisë, vendimet për ndalimin e hyrjes në territorin shqiptar merren në bazë të procedurave ligjore dhe zbatohen njësoj për çdo shtetas.



