KreuAktualitetPolitikaResorti në Zvërnec, Rama/ “Nëse nuk plotëson standardet, projekti nuk vazhdon”

Resorti në Zvërnec, Rama/ “Nëse nuk plotëson standardet, projekti nuk vazhdon”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat që prej më shumë se një muaji zhvillohen në Tiranë kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në jug të vendit, pranë një zone të mbrojtur, projekt i lidhur me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump.

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, Rama tha se protesta në fillim i kujtoi lëvizjen studentore të vitit 2018, duke theksuar se ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.

“Në fillim më kujtoi protestën studentore të vitit 2018: njerëz të ndryshëm, motive të ndryshme, shqetësime të sinqerta dhe një mesazh që e mora seriozisht. Kam dëgjuar dhe vazhdoj të dëgjoj”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se është i gatshëm të dialogojë me qytetarët që protestojnë për çështje mjedisore, ndërsa kritikoi ata që, sipas tij, prodhojnë “histeri, shpifje dhe propagandë”.

Rama deklaroi se protesta ka ndryshuar karakter dhe tashmë është kthyer edhe në një përballje politike kundër qeverisë.

“Sot nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është edhe një protestë politike, e marrë në dorë nga një koalicion opozitash, aktorësh politikë dhe rrjetesh nga jashtë, të cilët kanë një objektiv të përbashkët: të godasin qeverinë”, tha ai.

Duke folur për përfshirjen e emrit Trump në projekt, Rama tha se kjo ka sjellë edhe një dimension ndërkombëtar të debatit.

“Emri Trump nuk është thjesht emri i një investitori në këtë histori. Ai është burimi më i madh i indinjatës digjitale në botë. Shqipëria është shndërruar papritur në një arenë ku përplasen anti-Trumpistët globalë me Trumpin”, deklaroi kryeministri.

Sa i përket kërkesave për bllokimin e projektit në Zvërnec, Rama tha se aktualisht nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe nuk ka leje ndërtimi.

“Nuk ka nisur asnjë ndërtim. Nuk ka leje ndërtimi. Nuk ka kantier. Një qeveri serioze nuk vepron mbi fantazi, por mbi dokumente, ligje, studime dhe standarde”, u shpreh ai.

Rama theksoi se vendimi për projektin do të varet nga përmbushja e kritereve ligjore dhe mjedisore, jo nga emri i investitorit.

“Nëse projekti i përmbush standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike, vazhdon. Nëse jo, nuk vazhdon”, tha ai.

Kryeministri iu përgjigj edhe kritikave për gjuhën e përdorur ndaj protestuesve, duke kërkuar ndjesë për qytetarët që mund të jenë ndjerë të fyer.

“Nëse ndonjë fjalë e imja ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, më vjen keq. Por nuk pranoj të barazoj qytetarët e sinqertë me fabrikat e baltës dhe propagandën politike”, deklaroi Rama.

Lidhur me kërkesat për dorëheqjen e tij, kryeministri tha se në demokraci vendimet merren përmes zgjedhjeve dhe jo ultimatumeve.

“Dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët përmes votës. Ultimatumet nuk janë demokraci”, u shpreh ai.

Rama tha gjithashtu se protestat nuk do të ndikojnë në sezonin turistik dhe as në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Një vend ku njerëzit protestojnë lirisht është një vend demokratik, jo një vend i rrezikshëm”, deklaroi kryeministri.

Në fund të intervistës, Rama pranoi se ka ende probleme në vend, duke përmendur pensionet, shëndetësinë, pronësinë dhe shërbimet publike, por theksoi se Shqipëria, sipas tij, ka bërë përparime në ekonomi, drejtësi dhe rrugën drejt BE-së.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat