Media holandeze BrusselseNieuwe.nl i ka kushtuar një artikull procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke vënë në fokus paraburgimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ndikimin që çështje të tilla kanë në standardet e shtetit të së drejtës.
Artikulli nis me vlerësimin se Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por thekson se prej muajsh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim.
Sipas medias holandeze, studiuesja Emma Melankovsky vlerëson se Komisioni Parlamentar për Çështjet Europiane duhet ta ngrejë këtë çështje gjatë vizitës së tij në Shqipëri, duke e konsideruar atë pjesë të debatit mbi funksionimin e shtetit të së drejtës në vend.
Në artikull theksohet se Shqipëria konsiderohet një nga vendet kandidate më të rëndësishme për zgjerimin e Bashkimit Europian, ndërsa Brukseli ka vlerësuar reformat e ndërmarra, veçanërisht ato në luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e sistemit të drejtësisë.
Po ashtu, vihet në dukje se Holanda është një nga partnerët ndërkombëtarë që mbështet reformat në drejtësi në Shqipëri dhe punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Artikulli kujton se nga 6 deri më 10 korrik një delegacion i Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Çështjet Europiane të Holandës zhvillon një vizitë pune në Shqipëri dhe Mal të Zi, vizitë që, sipas autores, duhet të shërbejë jo vetëm për të diskutuar progresin drejt Bashkimit Europian, por edhe funksionimin e shtetit demokratik të së drejtës.
Rasti Veliaj
Në analizë thuhet se çështja e Erion Veliajt është një nga rastet që ka tërhequr vëmendje në Shqipëri.
Sipas artikullit, Veliaj ndodhet prej një periudhe të gjatë në paraburgim nën dyshimet për korrupsion, ndërsa theksohet se akuzat ndaj tij duhet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
Megjithatë, autorja argumenton se mbajtja për një kohë të gjatë në paraburgim e një zyrtari të zgjedhur në mënyrë demokratike ngre pikëpyetje që shkojnë përtej çështjes penale individuale.
“Në një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian është e rëndësishme që lufta kundër korrupsionit të shoqërohet me respektimin e plotë të garancive themelore të shtetit të së drejtës”, thuhet në artikull.
Media holandeze i referohet edhe vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke shkruar se, sipas avokatëve të Veliajt, për herë të dytë është konstatuar se Gjykata e Lartë nuk kishte shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme nevojën për vazhdimin e paraburgimit të kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas autores, çështja Veliaj ka marrë më pak vëmendje ndërkombëtare për shkak të zhvillimeve të fundit që lidhen me protestat kundër projektit të resortit në jug të vendit dhe debatit mbi investimin e Jared Kushner.
Krahasimi me rastin e kryebashkiakut të Stambollit
Artikulli e krahason rastin e Veliajt me atë të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, duke kujtuar se Komisioni i Venecias ka theksuar se paraburgimi i kryetarëve të bashkive të zgjedhur duhet të përdoret vetëm kur ekziston një domosdoshmëri e qartë ligjore dhe kur masat më të lehta nuk janë të mjaftueshme.
Sipas autores, këto standarde nuk vlejnë vetëm për Turqinë, por përbëjnë udhëzime të përgjithshme për të gjitha shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Balanca mes luftës kundër korrupsionit dhe shtetit të së drejtës
Në përfundim, artikulli nënvizon se Holanda ka mbështetur vazhdimisht forcimin e shtetit të së drejtës dhe sistemit gjyqësor në Shqipëri, ndërsa thekson se lufta kundër korrupsionit mbetet një kusht thelbësor për integrimin europian.
Megjithatë, sipas autores, po aq i rëndësishëm është respektimi i të drejtave themelore dhe garancive procedurale.
Në këtë kuadër, vizita e delegacionit parlamentar holandez shihet si një mundësi për të diskutuar me autoritetet shqiptare jo vetëm për reformat, por edhe për mënyrën se si garantohet shteti i së drejtës në raste konkrete, si ai i Erion Veliajt.
Artikulli mbyllet me vlerësimin se një politikë efektive e zgjerimit të Bashkimit Europian kërkon zbatimin e të njëjtave standarde të shtetit të së drejtës që Bashkimi Europian u kërkon edhe vendeve anëtare.
“Kush e merr seriozisht zgjerimin, duhet gjithashtu të dëshirojë dhe të jetë në gjendje të garantojë shtetin e së drejtës. Kjo vlen për Shqipërinë, ashtu siç vlen edhe për ne”, përfundon analiza e publikuar nga BrusselseNieuwe.nl.



