back to top
27.3 C
Tirana
E premte, 10 Korrik, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaFalsifikime në Kadastrën e Durrësit/ Prokuroria zbardh skemën, 13 prona nën sekuestro

Falsifikime në Kadastrën e Durrësit/ Prokuroria zbardh skemën, 13 prona nën sekuestro

Një hetim disa vjeçar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka zbuluar një skemë të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit, duke çuar në caktimin e masave të sigurisë ndaj 12 personave, mes tyre ish-zyrtarë dhe punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Durrës.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për personat nën hetim, të dyshuar për veprat penale “Mashtrim”, “Falsifikim dokumentesh”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas organit të akuzës, hetimet lidhen me procedimin penal nr. 582 të vitit 2022, i nisur kryesisht pasi gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë në ASHK Durrës u konstatuan problematika që ngritën dyshime për falsifikim dokumentacioni.

Nga hetimet është dokumentuar, sipas Prokurorisë, mekanizmi i falsifikimit dhe përvetësimit të pasurive në gjashtë raste në zonën kadastrale 1574, në Kallm dhe ish-NB Frutore Durrës, zona me vlerë të lartë pranë bregdetit.

Sipas dosjes hetimore, shtetasit R.Sh., Sh.Sh., A.M., V.M., B.Xh. dhe F.Xh., në bashkëpunim me punonjës të ASHK-së Durrës, kanë falsifikuar dokumentacionin për regjistrimin e pronave në kundërshtim me ligjin, me qëllim përfitimin material.

Prokuroria thotë se dokumentet e falsifikuara futeshin në arkivën e ish-ASHK Durrës, ku pajiseshin me numra reference, në disa raste të dubluara, dhe më pas regjistroheshin në regjistrin e pasurive të paluajtshme duke u vendosur data fiktive regjistrimi.

Sipas hetimeve, në disa raste janë hequr edhe fletët origjinale të regjistrave hipotekorë, ku pronat me zë kadastral “shtet” janë zëvendësuar me dokumente të falsifikuara në emër të personave nën hetim. Më pas, një pjesë e këtyre pronave janë shitur tek persona të tretë, me qëllim fshehjen e gjurmëve të veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Prokuroria dyshon gjithashtu se punonjësit e ASHK-së Durrës, A.K., B.Z., R.Z., J.M., L.D. dhe A.C., kanë regjistruar këto pasuri mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, pa kryer verifikimet e detyrueshme ligjore.

Masat e sigurisë

Gjykata vendosi masën “Arrest në burg” për:

  • R.Sh., i dyshuar për “Mashtrim”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”;
  • A.K., për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”;
  • B.Z., për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”;
  • R.Z., për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Shpërdorim detyre”.

Masën “Arrest në shtëpi” e morën:

  • Sh.Sh.;
  • V.M.;
  • A.M.;
  • B.Xh., të gjithë të dyshuar për “Mashtrim” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Ndërsa masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” u caktua për:

  • F.Xh., i dyshuar për “Mashtrim”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”;
  • J.M., për “Shpërdorim detyre”;
  • L.D., për “Shpërdorim detyre”;
  • A.C., për “Shpërdorim detyre”.

Sekuestro mbi 13 prona

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestro preventive mbi 13 pasuri të paluajtshme në Durrës, të dyshuara se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë sipërfaqe të konsiderueshme toke, nga 500 deri në 27.550 metra katrorë, mes tyre prona me numrat 276/1 (27.550 m²), 147/8 (14.228 m²), 39/7 (6.000 m²), 462/12 (3.800 m²), 143/21 dhe 143/22 (nga 5.500 m² secila), si edhe disa pasuri të tjera në zonën kadastrale të Durrësit me sipërfaqe nga 500 deri në 7.000 metra katrorë.

Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm, si edhe për zbulimin e rasteve të tjera të dyshuara të tjetërsimit të pronave në këtë procedim penal.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat