Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt SHBA-së me vizë turistike për të lindur fëmijët e tyre.
Në reagimin e saj, ambasada thekson se prindërit që përdorin vizën turistike për këtë qëllim dhe përfitojnë nga programet publike amerikane për mbulimin e shpenzimeve mjekësore, mund të mos kualifikohen për rinovimin e vizës në të ardhmen.
Sipas njoftimit, një pjesë e prindërve shqiptarë udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara me vizë turistike dhe përdorin programin Medicaid për të mbuluar kostot e kujdesit shëndetësor gjatë lindjes. Ambasada thekson se këto shpenzime mbulohen nga taksapaguesit amerikanë.
“Prindërit që përdorin viza turistike për të lindur në SHBA mund të mos kualifikohen për rinovimin e vizave të tyre në të ardhmen”, thuhet në paralajmërimin e Ambasadës së SHBA-së.
Autoritetet amerikane rikujtojnë se viza turistike duhet të përdoret vetëm për qëllimin për të cilin është lëshuar dhe nuk duhet të shfrytëzohet për aktivitete që bien ndesh me arsyen e deklaruar gjatë aplikimit për vizë.
Sipas ambasadës, përdorimi i vizës turistike për të përfituar nga programet publike amerikane ose për të shmangur rregullat e emigracionit mund të ndikojë në vendimet e ardhshme të autoriteteve amerikane lidhur me rinovimin ose lëshimin e një vize të re.
Përmes këtij njoftimi, Ambasada e SHBA-së u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e vizës turistike dhe të jenë të vetëdijshëm për pasojat që mund të sjellë përdorimi i saj në kundërshtim me rregullat e emigracionit amerikan.




