Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore” ka shkaktuar debat në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku diskutimet u përqendruan te ndikimi që mund të kenë impiantet e energjisë eolike në tokat bujqësore.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ishte ndër të parët që ngriti shqetësime lidhur me vendosjen e këtyre impianteve, duke argumentuar se instalimi i tyre kërkon ndërhyrje të konsiderueshme në tokë dhe ndërtimin e platformave të betonit, çka sipas tij dëmton tokën bujqësore.
Qëndrimit të tij iu bashkua edhe deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili votoi kundër nenit 1 të projektligjit, së bashku me dy deputetë të opozitës, dhe kërkoi sqarime nga përfaqësuesit e institucionit përgjegjës.
Përfaqësuesit e drejtorisë përkatëse sqaruan se strukturat e impianteve eolike do të vendosen drejtpërdrejt në tokë, pa përdorimin e platformave të betonit. Megjithatë, ky argument nuk e bindi Gjiknurin.
“Që të vësh një kullë për ‘wind farm’, është 100 metra e lartë dhe nuk ka shans të vendoset pa strukturë betoni. Bëhet fjalë për kulla shumë të larta. Nuk jam i bindur me shpjegimet tuaja”, deklaroi deputeti socialist gjatë mbledhjes.
Debatet vijuan edhe në momentin e votimit të projektligjit në tërësi. Deputeti Gent Strazimiri kërkoi të ngrinte pyetje të tjera lidhur me paqartësitë që, sipas tij, përmban drafti, por u ndërpre nga kryetari i Komisionit, Ulsi Manja.
Strazimiri ngriti shqetësimin se përfshirja e termit “eolik” në projektligj mund të krijojë hapësira për interpretim dhe abuzim në të ardhmen, duke shtuar se nxitimi për miratimin e ligjit mund të sjellë pasoja për tokat bujqësore.
Përplasja më e fortë ndodhi mes Ulsi Manjës dhe Damian Gjiknurit, i cili kërkoi të merrte fjalën përpara votimit të projektligjit.
Ndërsa Manja e hodhi në votim projektligjin dhe e konsideroi votën e Gjiknurit si abstenim, deputeti socialist reagoi i irrituar, duke kërkuar t’i jepej mundësia për të folur.
“Do ma japësh fjalën apo të iki fare?”, iu drejtua Gjiknuri kryetarit të Komisionit, ndërsa Manja iu përgjigj: “Po ik mo”.
Pas shkëmbimit të replikave, ku Manja i tha “Ik, merru me Oerdin”, Damian Gjiknuri u largua nga mbledhja e Komisionit.
Debati tregoi ndarje qëndrimesh jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste lidhur me ndikimin që mund të ketë projektligji në mbrojtjen e tokës bujqësore dhe instalimin e impianteve të energjisë eolike.



