Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para grupit parlamentar të Partisë Socialiste dy dokumente që, sipas tij, përfaqësojnë reflektimin e qeverisë pas protestave të muajit qershor dhe që duhet të udhëheqin mandatin e katërt qeverisës.
Pas publikimit të një videoje që ai e cilësoi si një reflektim mbi atë që e quajti “bulevardi i flamingove”, Rama u shfaq para deputetëve socialistë me dy materiale, njëri prej të cilëve mban emrin “Besa”. Kryeministri tha se dokumentet janë të hapura për diskutim, ndryshim dhe plotësim, me qëllim që të shërbejnë si bazë për një mënyrë të re funksionimi të qeverisjes dhe të Partisë Socialiste.
Sipas Ramës, dokumenti i parë lidhet me kthesën që duhet të shoqërojë mandatin e katërt të qeverisë, ndërsa dokumenti i dytë përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet të mbështesë këtë qasje të re.
“Kam sjellë sot me vete dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar e ndryshuar, që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë këtë kthesë”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal gjatë te një rast konkret që, sipas tij, ilustron hendekun mes mënyrës se si funksionojnë institucionet dhe mënyrës se si qytetarët i përjetojnë vendimet e administratës.
Ai solli shembullin e një fermeri nga Lushnja, Arbërin, të cilin e cilësoi si një nga personat që u bë pjesë e protestave dhe e përshkroi si një “flamingo”, simbol i qytetarëve që ndihen të papërfillur nga sistemi.
Rama tha se problemi nuk qëndron te njerëzit që dalin në protestë, por te mënyra se si administrata komunikon me ta dhe te rastet kur qytetarët mbeten pa përgjigje për periudha të gjata kohore.
“Flamingo mund të dalë në protestë dhe mund të jetë aleati ynë. Vija e re ndarëse kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë edhe me ta”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, fermeri nga Lushnja kishte pritur për tre vite një përgjigje për kërkesën e tij dhe mungesa e komunikimit kishte krijuar tek ai ndjesinë se ishte shpërfillur.
Rama tha se kur ka biseduar me të, i kishte shpjeguar arsyet e refuzimit dhe procedurat përkatëse, por sipas tij, një shpjegim i dhënë pas tre vitesh pritje nuk mund të perceptohet lehtë nga qytetari.
“Nuk e morëm mundimin t’ia shpjegonim si duhet në tre vite, madje krijuam edhe idenë poshtëruese se duhet të paguante lek për një gjë që nuk bëhet. Një njeri që jeton me tokën, një njeri që ka partner dhe ambicie, çdo shpjegim që mund t’i japësh pasi ka dalë në protestë tingëllon si arrogancë”, tha kryeministri.
Ai shtoi se rasti i fermerit nuk duhet parë si një problem individual, por si një sinjal për mënyrën se si duhet të ndryshojë administrata publike.
“Arbëri nga Lushnja nuk është problemi, është prova dhe sprova që kemi me veten tonë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, pikërisht nga raste të tilla ka lindur dokumenti “Besa”, një emërtim që, siç tha ai, lidhet me nevojën që qytetarët të mos ndihen të tradhtuar nga institucionet dhe të mos humbasin besimin te shteti.
“E di që do të hapë debat, por nuk gjeta fjalë tjetër më të mirë se çfarë kthese duhet për këtë mandat të katërt. Që njerëzit të mos ndihen të prerë në besë dhe të mos ndihen të papërfillur”, u shpreh Rama.
Kryeministri u kërkoi deputetëve socialistë që dokumentet t’i marrin me vete dhe t’i diskutojnë gjatë periudhës së pushimeve, me synimin që të shërbejnë si bazë për ndryshimet që ai kërkon në qeverisjen e mandatit të ardhshëm.



