Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Albana Koçiu, prezantoi në Spitallë të Durrësit programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë që synon të mbështesë rritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend.
Gjatë vizitës në një sipërmarrje vendase, Koçiu tha se bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 98% të sipërmarrjeve që operojnë në Shqipëri, ndërsa vetëm një pjesë e kufizuar e tyre arrijnë të sigurojnë financim përmes kredive bankare.
Sipas saj, përmes këtij programi qeveria do të garantojë 70% të kolateralit për bizneset përmes garancisë sovrane, duke synuar lehtësimin e aksesit në financim. Krahas mbështetjes financiare, sipërmarrësit do të kenë në dispozicion edhe asistencë falas për përgatitjen e planeve të biznesit.
Në kuadër të skemës së re, bizneset shqiptare do të mund të aplikojnë për kredi deri në 2 milionë euro, me norma interesi të favorshme që variojnë nga 2% deri në 3%, si dhe me afat shlyerjeje deri në 10 vite.
Koçiu bëri të ditur se programi është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe bankat e nivelit të dytë, me synimin për të krijuar më shumë mundësi financimi për sipërmarrjet që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të adresojë një nga sfidat kryesore të bizneseve të vogla dhe të mesme në vend, atë të sigurimit të kapitalit për investime dhe rritje.



