KreuAktualitetPolitika“Besa nuk jepet në kulla luksoze”/ Koçeku sulmon Ramën dhe kritikon zhvillimin...

“Besa nuk jepet në kulla luksoze”/ Koçeku sulmon Ramën dhe kritikon zhvillimin me resorte në malësi

Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua së fundmi nga radhët e Partisë Socialiste, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Theth në kuadër të prezantimit të paketës për zonat malore, si dhe pas publikimit të dokumentit “Besa” nga qeveria.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçeku ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, po përdoret koncepti i besës, duke e lidhur atë me raportin e banorëve të zonave malore me tokën, traditën dhe trashëgiminë e tyre.

“Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa”, shkruan Koçeku, duke argumentuar se besa për malësorët nuk është thjesht një fjalë apo premtim, por një marrëdhënie e thellë me vendin ku jetojnë.

Sipas saj, në traditën e të parëve, toka, mali dhe vendi kanë qenë pjesë e pandarë e këtij koncepti, ndërsa lidhja me to ka pasur një vlerë të veçantë shpirtërore dhe morale.

Koçeku ka shprehur gjithashtu kritika ndaj zhvillimit që, sipas saj, e sheh tokën vetëm si mundësi për ndërtime dhe resorte, duke theksuar se ky këndvështrim bie ndesh me kuptimin tradicional të pronës dhe trashëgimisë në zonat malore.

“Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze e resorte, por nuk asht ma besë”, shkruan ajo, duke shtuar se lidhja me tokën dhe vendin është thelbësore për kuptimin e këtij koncepti.

Në fund të reagimit të saj, deputetja e larguar nga PS thekson se njerëzit që humbin lidhjen me tokën, vendin dhe natyrën e tyre nuk mund të gëzojnë besimin e komuniteteve që i ruajnë këto vlera.

Reagimi i Koçekut vjen në një kohë kur qeveria ka vendosur në fokus zhvillimin e zonave malore përmes paketës së re të masave, ndërsa dokumenti “Besa”, i prezantuar nga kryeministri Rama para grupit parlamentar socialist, synon të përcaktojë angazhimet e mazhorancës për periudhën e ardhshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat