Avokati Arben Llangozi ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku ngre pretendime për një çështje që, sipas tij, kërkon hetim të thelluar lidhur me periudhën kur Ina Rama drejtonte Prokurorinë e Përgjithshme dhe angazhimin e saj të mëvonshëm në Credins Bank.
Llangozi deklaron se në një shtet të së drejtës, besimi i publikut nuk lidhet vetëm me ligjshmërinë e vendimeve, por edhe me shmangien e çdo perceptimi për konflikt interesi. Ai kërkon sqarime publike për disa zhvillime që, sipas tij, lidhen me periudhën 2007–2012, kur Ina Rama mbante postin e Prokurores së Përgjithshme.
Sipas avokatit, gjatë kësaj periudhe pagat e prokurorëve dhe administratës së Prokurorisë së Përgjithshme kaluan përmes Credins Bank, ndërsa ngre pyetje mbi procedurat e përzgjedhjes së këtij institucioni financiar dhe rolin e drejtuesve të institucionit në këtë proces.
Llangozi i referohet gjithashtu një dokumenti të Credins Bank, për të cilin thotë se konfirmon se më 17 mars 2014, rreth dy vite pas përfundimit të mandatit si Prokurore e Përgjithshme, Ina Rama u punësua si Këshilltare Juridike e Drejtorit të Përgjithshëm të kësaj banke.
Në reagimin e tij, avokati lidh këtë fakt me çështjen e njohur si “Bishti i Poros”, duke pretenduar se procedimi penal për këtë çështje është mbyllur gjatë kohës kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Ina Rama, ndërsa më pas pasuria e përfshirë në këtë çështje ka kaluar në favor të Credins Bank.
Sipas Llangozit, kombinimi i këtyre rrethanave krijon dyshime që, sipas tij, duhet të verifikohen nga organet kompetente.
Ai i drejton pyetje SPAK-ut lidhur me nisjen e një hetimi kryesisht për këtë çështje, duke kërkuar të verifikohet se kush vendosi kalimin e pagave të Prokurorisë së Përgjithshme pranë Credins Bank, si u përzgjodh banka, çfarë përfitimi ekonomik pati ajo, kush vendosi mbylljen e procedimit penal për çështjen “Bishti i Poros”, si dhe rrethanat e punësimit të mëvonshëm të ish-Prokurores së Përgjithshme në këtë institucion financiar.
Llangozi e cilëson këtë situatë si një çështje që kërkon “hetim të menjëhershëm, të thelluar dhe të pavarur”.
Deklarata e plotë e Arben Llangozit:
Në një shtet të së drejtës, besimi i publikut nuk ndërtohet vetëm mbi ligjshmërinë e vendimeve, por edhe mbi shmangien e çdo perceptimi për konflikt interesi. Pikërisht për këtë arsye, disa zhvillime që lidhen me periudhën kur Ina Rama drejtonte Prokurorinë e Përgjithshme dhe me angazhimin e saj të mëvonshëm në Credins Bank meritojnë të sqarohen publikisht.
Gjatë viteve 2007–2012, Ina Rama ushtroi detyrën e Prokurores së Përgjithshme. Në këtë periudhë pagat e prokurorëve dhe administratës së Prokurorisë së Përgjithshme kaluan përmes Credins Bank. Mbetet e paqartë se si u përzgjodh kjo bankë, cilat procedura u ndoqën dhe cili ishte roli i drejtuesve të institucionit në këtë proces.
Një dokument i Credins Bank konfirmon se më 17 mars 2014, rreth dy vjet pas përfundimit të mandatit, Ina Rama u punësua si Këshilltare Juridike e Drejtorit të Përgjithshëm.
Punësimi i Ina Ramës në Credins Bank, pas ushtrimit të funksionit të Prokurores së Përgjithshme, në kombinim me pretendimet se gjatë mandatit të saj pagat e Prokurorisë së Përgjithshme kaluan pranë të njëjtës bankë, krijon dyshimin për veprime korruptive.
Në të njëjtën periudhë është trajtuar dhe hetuar edhe dosja e njohur si “Bishti i Poros”, një çështje penale që lidhet me tjetërsimin e pasurive publike. Sipas dokumentacionit, procedimi është mbyllur gjatë kohës kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Ina Rama, ndërsa pasuria në fjalë rezulton se ka kaluar më vonë në favor të Credins Bank.
Kur mbyllja e një procedimi penal pasohet nga kalimi i pasurisë së kontestuar te i njëjti subjekt privat ku ish-drejtuesja e organit të akuzës u punësua më vonë, nuk kemi më thjesht një përkim kronologjik, por një varg rrethanash që kërkojnë hetim të menjëhershëm, të thelluar dhe të pavarur.
Përse SPAK nuk nis një hetim kryesisht për këtë fakt kaq të rëndë? SPAK duhet të hetojë kush vendosi për kalimin e pagave të prokurorisë te Credins Bank, si u përzgjodh banka, çfarë përfitimi ekonomik pati ajo, kush e mbylli dosjen penale, mbi çfarë aktesh u regjistrua pasuria dhe në çfarë rrethanash u realizua punësimi i mëvonshëm?



