Pas përfundimit të seancës plenare të paradites, Kuvendi ka parashikuar zhvillimin e një seance tjetër në orën 15:00 për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huas direkte prej 302 milionë dollarësh amerikanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e destinuar për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili deklaroi se grupi parlamentar i PD-së nuk do të marrë pjesë në votimin e ligjit nëse ai procedohet me procedurë të përshpejtuar, ndonëse mbështet marrëveshjen me SHBA-në.
Berisha argumentoi se kundërshtimi i demokratëve lidhet me mënyrën e ndjekur për miratimin e aktit, të cilën e konsideron në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese. Sipas tij, Kushtetuta parashikon respektimin e afateve procedurale dhe nuk lejon shqyrtimin e përshpejtuar të një ligji të tillë pa afatin e nevojshëm.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkelje të procedurave kushtetuese dhe kritikoi zhvillimet brenda dhe jashtë Kuvendit gjatë ditës. Ai u shpreh se Partia Demokratike është në favor të huas për mbrojtjen, por kërkon që procesi i miratimit të saj të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe rregullat parlamentare.
“Ne jemi pro kësaj kredie dhe mbështesim marrëveshjen me SHBA-në, por nuk mund të pranojmë që ajo të miratohet përmes procedurave që i konsiderojmë antikushtetuese”, deklaroi Berisha.



