KreuAktualitetPolitikaAgron Shehaj përjashtohet me 60 ditë nga Kuvendi/ PS do ta referojë...

Agron Shehaj përjashtohet me 60 ditë nga Kuvendi/ PS do ta referojë çështjen në SPAK

Sekretariati i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj, pas incidentit të ndodhur gjatë shqyrtimit të marrëveshjes konfidenciale mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Masa disiplinore do të hyjë në fuqi në muajin shtator.

Vendimi u mor pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila akuzoi Shehajn se ka marrë pa autorizim dokumentin e klasifikuar dhe është larguar me të nga ambientet e Kuvendit.

Sekretariati i Etikës ka shqyrtuar vetëm aspektin disiplinor të çështjes, ndërsa referimi i rastit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) nuk është në kompetencat e këtij organi. Deputeti socialist Ulsi Manja bëri me dije se Partia Socialiste do të depozitojë materialet përkatëse në SPAK për vijimin e procedurave ligjore.

Sipas socialistëve, incidenti ka ndodhur gjatë konsultimit të dokumentacionit që lidhet me marrëveshjen për huanë direkte mes Shqipërisë dhe SHBA-së në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak. Dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të lexohej vetëm në ambientet e posaçme të Kuvendit, pasi deputetët të kishin firmosur deklaratën e konfidencialitetit.

Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës thuhet se Agron Shehaj ka kërkuar të marrë me vete kopjen fizike të dokumentit, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit. Pavarësisht kësaj, deputeti dyshohet se e ka marrë dokumentin dhe është larguar me të.

Po sipas shkresës së socialistëve, një këshilltare e Kuvendit, e cila ka tentuar të rimarrë dokumentin, është rrëzuar në shkallë gjatë ndjekjes së deputetit dhe ka pësuar lëndime.

“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të papranueshme”, thuhej në kërkesën e depozituar nga Partia Socialiste.

Nga ana tjetër, Agron Shehaj ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij. Deputeti ka deklaruar se veprimet e tij kishin si qëllim denoncimin e mungesës së transparencës për dokumentacionin e marrëveshjes, si dhe kundërshtimin e procedurës së përshpejtuar të miratimit të saj, të cilën ai e konsideron në kundërshtim me Kushtetutën.

Përjashtimi me 60 ditë përbën një nga masat më të rënda disiplinore që mund të vendosen ndaj një deputeti nga organet e Kuvendit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse çështja do të marrë edhe një trajtim penal pas referimit të materialeve në SPAK.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat