Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka reaguar ndaj një artikulli të publikuar nga BBC, duke kërkuar shmangien e përgjithësimeve që, sipas saj, stigmatizonin komunitetin shqiptar për veprimet e disa individëve.
Pas ndërhyrjes zyrtare të Ambasadës shqiptare në Londër, BBC ka korrigjuar titullin e artikullit të publikuar më 24 korrik. Titulli fillestar ishte “Albanians used false papers for settlement scheme” (“Shqiptarët përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”), duke krijuar përshtypjen se përgjegjësia lidhej me një komunitet të tërë.
Më pas, BBC e ndryshoi titullin në “Trio used false papers for settlement scheme” (“Tre persona përdorën dokumente false për skemën e qëndrimit”), duke e fokusuar përgjegjësinë te individët konkretë të përfshirë në rast.
Në reagimin e saj, Ambasada shqiptare falënderoi qytetarët shqiptarë që kishin ngritur shqetësimin për formulimin e përdorur në artikull dhe që kishin kërkuar një trajtim më të drejtë të komunitetit shqiptar në Britani.
Sipas Ambasadës, media ka një përgjegjësi të veçantë për të raportuar me saktësi dhe për të shmangur formulimet që mund të ushqejnë stereotipe apo paragjykime.
“Kur një çështje penale ka të bëjë me individë të caktuar, përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Sipas institucionit diplomatik shqiptar, përdorimi i një kombësie të tërë në tituj për veprimet e disa personave është i padrejtë dhe mund të dëmtojë imazhin e mijëra shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në mënyrë të ndershme në Mbretërinë e Bashkuar.
Ambasada theksoi se do të vijojë të reagojë ndaj rasteve kur Shqipëria ose qytetarët shqiptarë trajtohen në mënyrë të padrejtë, diskriminuese apo stereotipizuese në media.
“Respekti për të vërtetën dhe për dinjitetin e çdo komuniteti nuk është vetëm një standard gazetaresk, por një vlerë themelore e një shoqërie demokratike”, deklaroi Ambasada në reagimin e saj.
Ndryshimi i titullit nga BBC vjen pas debatit të krijuar në komunitetin shqiptar në Britani, ku u ngrit shqetësimi se formulimi i parë e lidhte një shkelje të pretenduar nga disa individë me një komunitet të tërë kombëtar.




