Qiratë e ambienteve të zyrave në Tiranë vijojnë të shënojnë rritje, veçanërisht në segmentin premium, ku në disa prej projekteve më prestigjioze çmimet kanë arritur deri në 40 euro për metër katror në muaj.
Të dhënat e tregut të pasurive të paluajtshme tregojnë se tarifat më të larta aplikohen në kullat dhe godinat moderne të biznesit të vendosura në qendër të kryeqytetit ose në projekte që janë ende në zhvillim.
Sipas informacionit të siguruar nga “Colliers International Albania”, projekti që po zhvillohet pranë zonës së ish-Sheratonit kryeson listën me çmimin më të lartë të qirasë për zyra, duke arritur në 40 euro për metër katror në muaj.
Edhe projekte të tjera të rëndësishme kanë regjistruar nivele të larta qirash. Në “MET Tirana Building”, çmimet kanë shkuar deri në 33 euro për metër katror, ndërsa një vit më parë ato luhateshin nga 20 deri në 30 euro. Ndërkohë, në kullën “Downtown One”, qiraja maksimale është 25 euro për metër katror, më e ulët krahasuar me nivelin prej 30 eurosh të shënuar gjatë vitit 2025.
Rritje të çmimeve janë evidentuar edhe në godina të tjera biznesi, si “ETC Business Tower”, “Twin Towers” dhe “Ring Center”.
Ekspertët e tregut imobiliar vlerësojnë se faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë tendencë janë rritja e kostove të ndërtimit, zhvlerësimi i euros, zhvillimet urbane në kryeqytet, si dhe kërkesa në rritje për ambiente pune me standarde më të larta.
Pozicioni strategjik, cilësia e ndërtimit, administrimi profesional dhe shërbimet që ofrojnë këto komplekse janë elementët që i mbajnë çmimet në nivele të larta. Një pjesë e projekteve premium ndodhen ende në fazë ndërtimi ose drejt përfundimit të punimeve.
Sipas aktorëve të tregut, interesi për zyra moderne mbetet i qëndrueshëm, sidomos nga kompani që preferojnë ambiente të reja dhe të pozicionuara në zonat kryesore të biznesit në Tiranë.
Në segmentet e tjera të tregut, çmimet e qirave mbeten më të përballueshme dhe ndryshojnë në varësi të zonës dhe karakteristikave të objektit, pa arritur nivelet e projekteve premium.
Ekspertët parashikojnë që rritja e qirave në kullat e biznesit do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit mesatar të zyrave gjatë vitit 2026, veçanërisht në zonën qendrore të Tiranës.
Të dhënat e raportit të “Colliers Albania” për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 tregojnë se qiraja mesatare për zyra në zonat qendrore të kryeqytetit arriti në 30 euro për metër katror në muaj, duke e vendosur Tiranën në të njëjtin nivel me qytete të konsoliduara europiane si Barcelona dhe Praga.
Kryeqyteti shqiptar rezultoi më i shtrenjtë se disa tregje të Bashkimit Europian, ku në Portugali qiratë mesatare për zyra ishin rreth 29 euro për metër katror, në Budapest 25.5 euro dhe në Bukuresht 20 euro.
Edhe krahasuar me vendet e rajonit, Tirana kryeson për çmimet e ambienteve të zyrave. Në Beograd, qiraja mesatare në zonat qendrore ishte 18 euro për metër katror, në Zagreb 17.5 euro dhe në Sofje 16 euro.
Ndërkohë, edhe në zonat sekondare, Tirana renditet ndër qytetet më të kushtueshme. Me një çmim mesatar prej 19 eurosh për metër katror në muaj gjatë vitit 2025, ajo tejkalon Beogradin me 15 euro, Zagrebin me 13 euro dhe Sofjen me 11 euro për metër katror.



