Qeveria ka vendosur të mos rinovojë dy kontrata koncesionare në sektorin e shëndetësisë dhe të rikthejë në administrimin shtetëror shërbimin e kontrollit bazë të popullsisë (Check-Up) dhe atë të dializës.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se kontratat aktuale do të përfundojnë respektivisht në muajt shtator dhe nëntor të këtij viti dhe pas skadimit të tyre shërbimet do të ofrohen nga institucionet shtetërore.
“Shërbimi i check-up-it dhe ai i dializës do të merren në dorëzim dhe do të ofrohen nga shteti”, u shpreh ministrja.
Dy koncesionet kanë pasur një kosto totale prej rreth 17.2 miliardë lekësh, ose rreth 182 milionë euro, gjatë periudhës 10-vjeçare të zbatimit të kontratave.
Sipas të dhënave zyrtare, koncesioni i Check-Up është financuar me rreth 8.76 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa shërbimi i dializës me rreth 8.5 miliardë lekë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratave.
Ky vendim vjen pas hapit të mëparshëm të qeverisë për rikthimin në administrim publik të shërbimit të sterilizimit, një tjetër kontratë koncesionare në sistemin shëndetësor.
Koncesioni i sterilizimit është bërë objekt hetimesh nga SPAK, i cili ka ngritur akuza për korrupsion lidhur me procedurën e dhënies së tij, ndërsa kontrata i ka kushtuar shtetit shqiptar mbi 150 milionë euro.



