Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar rikthimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve, pas rritjes së fundit të naftës në tregun vendas.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe ka kritikuar rritjen e çmimit të naftës, e cila sipas tij ka arritur në rreth 214-216 lekë për litër, ndërsa variante të tjera shiten edhe më shtrenjtë.
Sipas deputetit socialist, kjo rritje në prag të fundjavës dhe gjatë kulmit të sezonit turistik mund të ndikojë negativisht te lëvizja e qytetarëve dhe vizitorëve në destinacionet turistike.
Braçe e ka cilësuar rritjen si të qëllimshme dhe ka argumentuar se tregtarët mund të përfitojnë në një periudhë kur fluksi i pushuesve është më i lartë. Ai ka rikujtuar se më herët kishte kërkuar rikthimin e Bordit të Transparencës, duke paralajmëruar se çmimet mund të rriteshin gjatë sezonit.
“Duhet bordi që këta të mos i japin një goditje fatale sezonit në kulm të tij”, shkruan Braçe, duke theksuar se rritja e çmimeve të karburanteve mund të ndikojë në kostot e udhëtimeve dhe turizmit.



