Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen si një destinacion i favorshëm për ata që planifikojnë të kalojnë vitet e pensionit jashtë Shteteve të Bashkuara. Revista prestigjioze Forbes e ka përfshirë vendin në listën e destinacioneve të rekomanduara për vitin 2026, duke e renditur mes alternativave që ofrojnë një kombinim të mirë mes kostos së jetesës dhe cilësisë së saj.
Në analizën e publikuar nga Forbes, janë shqyrtuar 96 destinacione në 24 shtete, me fokus tek vendet që mund të ofrojnë kushte të përshtatshme për pensionistët amerikanë që dëshirojnë të jetojnë jashtë vendit.
Vlerësimi është bazuar në disa kritere, si kostoja e jetesës, cilësia e shërbimeve, sistemi shëndetësor, rreziqet klimatike, si edhe niveli i mikpritjes ndaj të huajve që zgjedhin të vendosen për një periudhë afatgjatë.
Sa i përket Shqipërisë, revista veçon Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe Sarandën si qytetet më tërheqëse për pensionistët, falë kombinimit të infrastrukturës, klimës mesdhetare dhe afërsisë me bregdetin.
Sipas Forbes, një nga pikat më të forta të Shqipërisë mbetet kostoja e ulët e jetesës në krahasim me SHBA-në. Ky faktor u jep mundësi pensionistëve të përballojnë më lehtë shpenzimet e përditshme, ndërsa përfitojnë nga një klimë e butë, peizazhe bregdetare dhe një stil jetese më ekonomik.



