Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, ka reaguar kundër propozimeve për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Vlorën në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Bellaj i është përgjigjur deputetit socialist Ardit Bido, duke kundërshtuar deklaratën e tij se banorët e Selenicës kanë kërkuar vetë bashkimin me Vlorën.
Kryebashkiaku e cilësoi këtë deklaratë si të pavërtetë dhe një zhgënjim për komunitetin e Selenicës, duke theksuar se askush nuk mund të flasë në emër të banorëve pa marrë më parë mendimin e tyre.
“Për shumë banorë të Selenicës, kjo u përjetua si një thikë pas shpine, në një moment kur pritej mbështetje për interesat e zonës”, shkruan Bellaj.
Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se Selenica duhet të vijojë të jetë bashki më vete, duke argumentuar se kjo nuk lidhet me interesa personale apo administrative, por me historinë, identitetin dhe potencialin e zonës.
Sipas Bellajt, Bashkia Selenicë plotëson kushtet ligjore, ekonomike dhe territoriale për të vijuar funksionimin si njësi vendore më vete. Ai përmendi shtrirjen territoriale, numrin e fshatrave, burimet natyrore dhe potencialin ekonomik si argumente në mbështetje të këtij qëndrimi.
“Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të respektohet. E ardhmja e kësaj bashkie nuk mund të ndërtohet mbi deklarata të pavërteta, por mbi vullnetin e komunitetit”, u shpreh kryebashkiaku.
Reforma e re administrativo-territoriale ka sjellë debate në disa zona të vendit, me drejtues vendorë dhe komunitete që kërkojnë të dëgjohen përpara marrjes së vendimeve për bashkimet e mundshme të njësive vendore.



