Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po favorizon interesa private në dëm të interesit publik.
Malaj shkruan se kryeministri “po vrapon të bëjë pazare personale në kurriz të shqiptarëve”, ndërsa thekson se propozimet e tij për ndalimin e praktikave të tilla nuk burojnë nga një qasje nacionaliste, por, sipas tij, përbëjnë një shërbim ndaj vendit.
Ai sjell në vëmendje disa çështje që i konsideron problematike, mes tyre projektin e aktorit turk në Vlorë, procesin e ngjyrosjes së naftës, si edhe partneritetin publik-privat për blerjet e përqendruara në sektorin e shëndetësisë. Sipas Malajt, në vendet e Bashkimit Evropian këto shërbime kryhen nga institucione publike dhe jo nga subjekte private.
Në reagimin e tij, ish-ministri argumenton se qeveritë që vijnë në pushtet nuk janë të detyruara të mbajnë kontrata koncesionare apo PPP që konsiderohen të dëmshme. Duke iu referuar praktikave evropiane, ai përmend rastet e Francës, Gjermanisë dhe Zvicrës, ku shërbime strategjike janë rikthyer nën administrim publik përmes mekanizmave ligjorë dhe jo me vendime të njëanshme.
Sipas Malajt, përvoja evropiane tregon se kontratat problematike mund të rishikohen ose të anulohen përmes auditimeve ligjore dhe financiare, mosrinovimit të tyre pas përfundimit të afatit, apo blerjes së kontrollit nga shteti sipas klauzolave të kontratës.
Ai paralajmëron se anulimi i njëanshëm i koncesioneve, pa bazë ligjore, mund t’i kushtojë shtetit miliarda euro në arbitrazh ndërkombëtar. Për këtë arsye, Malaj thekson se zgjidhja duhet të mbështetet te transparenca, auditimi rigoroz, referendumi lokal dhe forcimi i rolit të institucioneve publike në administrimin e shërbimeve me interes strategjik.



