KreuDrejtësiaKallëzim ndaj Dumanit në Itali/ Çfarë thotë SPAK për hetimet ndaj ish-kreut...

Kallëzim ndaj Dumanit në Itali/ Çfarë thotë SPAK për hetimet ndaj ish-kreut të saj

SPAK ka reaguar lidhur me raportimet për kallëzimin e bërë në Itali ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, duke dhënë sqarime mbi procedurat e ndjekura dhe lidhjen e kësaj çështjeje me një proces penal që po hetohet në Shqipëri.

Në një njoftim zyrtar, SPAK bën me dije se shtetasi Petrit Çela i është drejtuar drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme më 20 maj dhe 18 qershor 2026, duke kërkuar përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023.

Ky procedim lidhet me të pandehurit Marjus Lulaj dhe Mario Çela, të cilët janë familjarë të Petrit Çelës. Në këtë çështje, Altin Dumani ushtron funksionin e prokurorit të çështjes.

Sipas SPAK, si argument për kërkesën për përjashtim, Petrit Çela ka paraqitur kallëzimin penal të bërë në Itali ndaj Altin Dumanit. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka vendosur më 19 qershor 2026 mospranimin e saj, duke e cilësuar të pambështetur në ligj dhe prova.

SPAK sqaron gjithashtu se në Prokurorinë e Veronës në Itali është regjistruar një procedim penal ndaj Altin Dumanit për veprën penale të “shpifjes” sipas Kodit Penal italian, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Petrit Çela.

Nga dokumentet e administruara rezulton se çështja në Itali mban numrin R.G.N.R. 3514/2026 – R.G. GIP 2877/2026 dhe lidhet me një kallëzim të depozituar ndaj Dumanit, i cili ka drejtuar SPAK nga dhjetori i vitit 2022 deri në dhjetor të vitit 2025.

Megjithatë, Prokuroria e Veronës, pas shqyrtimit të materialeve, ka kërkuar arkivimin e procedimit penal më 21 prill 2026, kërkesë e cila është depozituar zyrtarisht më 14 maj. Kundër kësaj kërkese, Petrit Çela ka paraqitur kundërshtim, duke sjellë edhe caktimin e një seance gjyqësore pranë seksionit GIP/GUP të Gjykatës së Veronës.

Në reagimin e saj, Prokuroria e Posaçme thekson se nga aktet e administruara nuk rezulton që Altin Dumani të ketë qenë pjesë e grupit hetimor në procedimet penale të zhvilluara në Itali dhe Shqipëri, apo të ketë kryer veprime hetimore, marrje në pyetje, sekuestrime apo kërkesa për masa të tilla.

Sipas SPAK, i vetmi element që lidh Dumanin me bashkëpunimin ndërkombëtar me autoritetet italiane është nënshkrimi, në cilësinë e drejtuesit të SPAK, i një shkrese institucionale më 11 korrik 2024 dhe i marrëveshjes për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) me Prokurorinë e Veronës më 26 gusht 2024.

Kjo marrëveshje, sipas SPAK, ishte një iniciativë e autoriteteve italiane në kuadër të një procedimi penal për bashkëpunim ndërkombëtar dhe jo një veprim individual i prokurorit Dumani.

Prokuroria e Posaçme thekson se ish-kreu i saj ka marrë dijeni për ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pas kërkesës së Prokurorisë së Veronës për arkivimin e çështjes.

Në përfundim të reagimit, SPAK evidenton se kallëzimi i bërë në Itali është përdorur nga Petrit Çela si bazë për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes në Shqipëri, duke e lidhur këtë veprim me interesin e tij të drejtpërdrejtë familjar në procedimin penal nr. 193/2023.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat