KreuAktualitetPolitika"Nga tenderët te kontrolli i gjithë tregu"/ Jorida Tabaku kundërshton draftin për...

“Nga tenderët te kontrolli i gjithë tregu”/ Jorida Tabaku kundërshton draftin për barnat

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas publikimit të draft-projektligjit të qeverisë për krijimin e një kompanie shtetërore që do të menaxhojë zinxhirin e furnizimit me barna, duke shprehur kundërshti ndaj mënyrës se si është konceptuar kjo nismë.

Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku argumenton se problemi kryesor i sistemit shëndetësor shqiptar nuk lidhet me mungesën e institucioneve apo të rregullave, por me moszbatimin e tyre dhe mungesën e kontrollit efektiv.

Sipas saj, pavarësisht premtimeve të bëra ndër vite për “shëndetësi falas”, qytetarët vijojnë të përballen me mungesë barnash, vonesa në trajtime dhe rritje të shpenzimeve nga xhepi për kujdesin shëndetësor.

Deputetja i referohet edhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku sipas saj janë evidentuar problematika me menaxhimin e barnave spitalore, rimbursime, ndryshime të të dhënave në sistemet elektronike dhe raste faturimesh që kërkojnë verifikim.

Duke analizuar projektligjin e ri, Tabaku kundërshton krijimin e kompanisë shtetërore që do të ketë kompetenca të gjera, duke përfshirë planifikimin e nevojave për barna, zhvillimin e blerjeve, magazinimin, transportin, shpërndarjen, administrimin e rezervës strategjike, menaxhimin e platformave kombëtare dhe negocimin e marrëveshjeve për futjen e barnave në sistem.

Sipas saj, përqendrimi i këtyre funksioneve në një subjekt të vetëm krijon rrezikun e kontrollit të plotë të tregut publik të barnave, edhe pse projektligji nuk e përcakton zyrtarisht si monopol.

“Nuk do të mjaftojë më të fitosh një tender. Një operator ekonomik duhet më parë të pranohet në katalog, t’u përshtatet specifikimeve që harton vetë kompania dhe të kalojë përmes kanalit që ajo administron. Kompania bëhet njëkohësisht lojtar dhe portier i tregut”, shprehet Tabaku.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej deputetes lidhet me transparencën dhe mbikëqyrjen e kësaj strukture. Ajo pretendon se drafti nuk parashikon detyrime të mjaftueshme për auditim, raportim në Kuvend apo publikimin e kontratave, çmimeve, tarifave dhe të dhënave për partnerët privatë.

Tabaku ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit financiar të kompanisë së re, duke kërkuar sqarime nëse ajo do të blejë barna dhe më pas do t’ua shesë institucioneve shëndetësore, nëse do të aplikojë marzhe fitimi dhe si do të përcaktohen tarifat për spitalet.

Sipas saj, shqetësim mbetet edhe mbivendosja e roleve institucionale, pasi struktura të tilla si Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave parashikohen të kenë rol në drejtimin e kompanisë.

Deputetja e PD-së pyet gjithashtu pse nevojitet krijimi i një strukture të re, kur ekziston tashmë Operatori i Blerjeve të Përqendruara për barnat dhe materialet mjekësore.

Në përfundim të reagimit të saj, Tabaku argumenton se Shqipërisë nuk i duhet një kompani shtetërore më e fuqishme, por një sistem me më shumë transparencë, kontroll real dhe përgjegjësi institucionale.

Sipas saj, drafti i ri rrezikon ta zhvendosë kontrollin e tregut të barnave nga procedurat publike të prokurimit drejt mekanizmave të brendshëm të një shoqërie tregtare, duke sjellë një nivel më të lartë centralizimi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat