KreuAktualitetEkonomiaShoqëritë shtetërore në likuidim, çregjistrohen/ Kush do të marrë përgjegjësi për pasuritë...

Shoqëritë shtetërore në likuidim, çregjistrohen/ Kush do të marrë përgjegjësi për pasuritë dhe borxhet?

Qeveria ka përcaktuar procedurat e reja për mbylljen dhe çregjistrimin përfundimtar të shoqërive tregtare me kapital shtetëror që ndodhen në proces likuidimi, si dhe mënyrën e administrimit të të drejtave dhe detyrimeve të tyre.

Ligji i publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon se rregullat e reja do të zbatohen për shoqëritë tregtare ku shteti zotëron të paktën 51% të kapitalit dhe që janë në proces likuidimi në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Ndërkohë, shoqëritë shtetërore që do të hyjnë në proces likuidimi pas hyrjes në fuqi të ligjit do të vijojnë procedurat sipas legjislacionit ekzistues për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

Sipas parashikimeve të reja, Asambleja e Përgjithshme e shoqërive shtetërore në likuidim do të vendosë për nisjen e procedurave të çregjistrimit. Pas përfundimit të transferimit të të drejtave dhe detyrimeve, do të merret vendimi për mbylljen përfundimtare të këtyre shoqërive dhe autorizimin e çregjistrimit të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Për të realizuar këtë proces, në QKB do të depozitohen vendimi i Asamblesë së Përgjithshme dhe pasqyrat financiare të mbylljes së shoqërisë, për t’u kryer më pas çregjistrimi përfundimtar.

Në kuadër të administrimit të pasurive dhe detyrimeve të mbartura nga këto subjekte, ligji parashikon krijimin e shoqërisë shtetërore “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a., ku aksionari i vetëm do të jetë Ministria e Ekonomisë.

Shoqëria e re do të ketë si detyrë administrimin e aseteve të transferuara, shitjen ose privatizimin e tyre sipas kuadrit ligjor në fuqi, me qëllim shlyerjen e kreditorëve. Për asetet me rëndësi strategjike ose që mund të ndikojnë në sigurinë kombëtare, do të kërkohet miratimi paraprak i ministrive përgjegjëse.

“Operatori i Shoqërive Shtetërore” do të merret gjithashtu me arkëtimin e detyrimeve debitore, sistemimin kontabël të detyrimeve të vjetra si dhe trajtimin e kërkesave kreditore të parashkruara ose të pakërkueshme.

Sipas ligjit, kjo shoqëri do të ketë një afat të përcaktuar funksionimi, deri në përfundimin e proceseve të administrimit dhe shitjes së aseteve, mbledhjes së detyrimeve dhe shlyerjes së borxheve të transferuara. Pas përfundimit të këtyre procedurave, edhe kjo strukturë do t’i nënshtrohet procesit të likuidimit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat