KreuAktualitetBotaAlarm në NATO/ SHBA dyshon se Moska mund të testojë kufijtë e...

Alarm në NATO/ SHBA dyshon se Moska mund të testojë kufijtë e Aleancës

Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë ngritur shqetësimin se Rusia mund të provojë të testojë reagimin e NATO-s përmes një veprimi të kufizuar ndaj një prej vendeve anëtare të Aleancës në vitet e ardhshme.

Sipas një raportimi të Wall Street Journal, vlerësimet e reja të inteligjencës amerikane sugjerojnë se Moska mund të jetë më e gatshme për të ndërmarrë rreziqe, ndryshe nga parashikimet e mëparshme se Kremlini do të shmangte një përballje direkte me NATO-n gjatë luftës në Ukrainë.

Skenarët e analizuar përfshijnë një gamë të gjerë veprimesh, nga sulmet kibernetike dhe operacionet hibride, deri te përdorimi i forcave të maskuara ose një ndërhyrje e kufizuar tokësore në territorin e një vendi anëtar të Aleancës.

Burime të cituara nga gazeta amerikane bëjnë me dije se periudha deri në vitin 2029 shihet si një moment me rrezik të shtuar, nëse Rusia vendos të sfidojë drejtpërdrejt kapacitetet dhe unitetin e NATO-s.

Sipas këtyre vlerësimeve, faktorë që mund të ndikojnë në vendimmarrjen e Vladimir Putinit janë presioni nga sulmet ukrainase në territorin rus, ritmi i ngadaltë i operacioneve ushtarake në front dhe pritshmëritë e brendshme për një rezultat pozitiv në luftë.

Raportimi i Wall Street Journal lidhet gjithashtu me shqetësimet amerikane për nivelin e rezervave ushtarake. Sipas disa zyrtarëve të cituar, furnizimet e disa sistemeve të rëndësishme të mbrojtjes janë ulur pas ndihmës së vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe përdorimit intensiv të municioneve në operacione të tjera amerikane.

Në listën e sistemeve për të cilat ngrihen shqetësime përfshihen interceptorët Patriot dhe THAAD, raketat Stinger, si dhe disa raketa të avancuara të goditjes me rreze të gjatë.

Megjithatë, këto pretendime janë kundërshtuar nga autoritetet amerikane. Pentagoni i ka cilësuar raportimet për mungesa kritike të municioneve si të pavërteta, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se SHBA-të kanë kapacitetet e nevojshme për të përmbushur objektivat e tyre strategjikë.

Debati vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë ka rritur ndjeshëm tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa vendet e NATO-s po përpiqen të balancojnë mbështetjen për Kievin me shmangien e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Moskën.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat