Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re digjitale “Fol me Kryeministrin”, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me kreun e qeverisë dhe të ndajnë shqetësimet, mendimet apo sugjerimet e tyre.
Platforma, e cila sipas Ramës do të jetë e hapur 24 orë, prezantohet në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe tensione politike, ndërsa dialogu mes palëve mbetet i vështirë.
Gjatë prezantimit, Rama e cilësoi hapësirën e re si një urë komunikimi edhe për protestuesit, duke thënë se teknologjia krijon një mundësi alternative për shkëmbimin e informacionit dhe opinioneve.
Ai bëri të ditur se ndërveprimet në platformë do të ndiqen nga një skuadër e dedikuar, e cila do të merret me qarkullimin e mesazheve dhe informacionit.
“Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog në kushtet kur vijmë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju”, deklaroi Rama.
Kryeministri e përshkroi platformën si një hapësirë funksionale dhe të aksesueshme në çdo kohë, ndërsa shprehu bindjen se, sipas tij, tensionet aktuale do të zbuten dhe do të krijohen kushtet për dialog.
“Ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia. E keni në kompjuter, e keni në pasqyrën e celularit. Mirë se vini në ‘Dialog’”, u shpreh ai.
Pavarësisht prezantimit si një kanal komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, mbetet për t’u parë se si do të funksionojë në praktikë platforma dhe sa hapësirë do të ketë për adresimin e kritikave dhe kërkesave ndaj qeverisë, veçanërisht nga ata që janë pjesë e protestave.



