KreuDrejtësiaNga konsultimet në hotele te votimi në orët e para të mëngjesit/...

Nga konsultimet në hotele te votimi në orët e para të mëngjesit/ Si u mbyll beteja për Kodin Penal

Kodi i ri Penal tashmë është miratuar nga Kuvendi. Në mëngjesin e 28 janarit, mazhoranca socialiste përdori shumicën e saj parlamentare për të kaluar një nga ligjet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.

Por përtej votimit final, mbetet një histori që nisi me debate të forta, kundërshti nga figura të rëndësishme të drejtësisë dhe një proces konsultimesh që u prezantua si gjithëpërfshirës, por që shoqërohet me disa pikëpyetje.

Që në momentin e publikimit të draftit, ndryshimet në Kodin Penal nuk kaluan pa reagime. Një nga zërat më kritikë ishte Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili ngriti shqetësime për mënyrën e hartimit dhe për pasojat që mund të sillte zbatimi i tij në praktikë.

Sipas Çelës, përpara hartimit të një Kodi të ri Penal duhej të kishte një diskutim më të gjerë institucional dhe shoqëror mbi nevojën për një ndryshim të tillë.

Ai paralajmëroi se formulimet e draftit mund të krijonin konfuzion për magjistratët, duke sjellë interpretime të ndryshme dhe probleme me sigurinë juridike.

Një tjetër kritikë e tij lidhej me zgjerimin e veprave penale, që sipas tij rrezikonte të sillte një qasje më ndëshkuese sesa parandaluese.

Pavarësisht këtyre rezervave, Ministria e Drejtësisë vijoi me procesin e konsultimit publik.

Ministri Ulsi Manja deklaroi se drafti do të kalonte përmes 25 tryezave diskutimi dhe se çdo sugjerim do të merrej në konsideratë. Procesi u shoqërua me takime me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë dhe përfaqësues të tjerë të sistemit të drejtësisë.

Por mënyra e organizimit të këtyre konsultimeve ngriti edhe një tjetër çështje si transparenca financiare.

Takimet u zhvilluan në disa qytete, përfshirë Pogradecin, Durrësin dhe Vlorën, zona që njihen edhe si destinacione turistike. Pyetja që lind në një proces të financuar nga fondet publike është nëse këto konsultime duhej të zhvilloheshin në ambiente institucionale, kryesisht në Tiranë, duke shmangur kosto të mundshme për transport, akomodim dhe logjistikë.

Deri tani, nuk është bërë publike një pasqyrë e detajuar e shpenzimeve për këto aktivitete.

Pas takimit të fundit të konsultimit, të zhvilluar më 16 dhjetor 2025, procesi hyri në fazën finale. Debati publik u zbeh dhe vëmendja u zhvendos nga diskutimet për përmbajtjen e Kodit te momenti i miratimit të tij.

Dhe ky moment erdhi në orët e para të mëngjesit të 28 janarit.

Edhe pse rregullorja parlamentare lejon zhvillimin e seancave në orare të zgjatura, mënyra e votimit ngre një pyetje legjitime për transparencën.

A është e njëjta mundësi për qytetarët dhe median për të ndjekur një vendimmarrje kaq të rëndësishme kur ajo zhvillohet në orare kur vëmendja publike është minimale?

Për një ligj të zakonshëm, kjo mund të shihet si një çështje procedurale. Por Kodi Penal nuk është një ligj i zakonshëm. Ai përcakton kufijtë mes të lejueshmes dhe të ndëshkueshmes, mes lirisë së qytetarit dhe fuqisë ndëshkuese të shtetit.

Prandaj, debati nuk lidhet vetëm me atë se çfarë u votua, por edhe me mënyrën se si u arrit deri te votimi.

Nga kritikat e Prokurorit të Përgjithshëm, te konsultimet e zhvilluara në terren dhe deri te miratimi në orët e para të mëngjesit, rruga e Kodit të ri Penal mbetet një shembull i debatit mbi një pyetje themelore. Sa transparencë kërkohet kur ndryshohen ligjet që prekin drejtpërdrejt çdo qytetar?

E Vërteta.al

Kod i ri Penal apo Kod i zi Penal?

Kriminalizim me ligj?/ Çela paralajmëron sërish pasojat e rënda të Kodit të ri Penal

Si po përdoret një prokuror i shkarkuar për të legjitimuar Kodin e ri Penal?

Kodi i ndëshkimit/ Kush dhe pse kërkon të heshtë Prokurorin e Përgjithshëm, gjyqtarët dhe aktivistët

“Risitë nuk ndryshojnë bazat”/ Çela kundër ndryshimeve të Kodit Penal

Kaos në ligjin penal/ Çela paralajmëron një katastrofë juridike me 900 nene

Fatura e padukshme/ Kush i paguan pushimet e grupit shëtitës për Kodin Penal?

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat